“Eagle Hills merr dritën jeshile për mega-projektin në Shqipëri”. Kështu shkruan “Arabian Business”, media më e njohur e botës së biznesit në Lindjen e Mesme.
“Mohamed Alabbar i është dhënë dritë jeshile për ndërtimin e njërës prej marinave më të mëdha për super-jahtet në Mesdhe. Marrëveshja prej 2.5 miliardë dollarësh, e mbështetur nga Grupi i Kompanive Eagle Hills, do të transformojë plotësisht vijën bregdetare shqiptare në qytetin e Durrësit”, shkruan kjo media.
“Është game-changer, diçka për të cilën kemi punuar shumë fort për një kohë të gjatë. Vërtetë nuk mendoj se do të gjeni një tjetër që t’i ngjajë”, u shpreh Alabbar.
E njohur si “Durrës Yachts and Marina”, projekti është modeluar si “një ndër qytetet e reja më të qëndrueshme, që bashkon praktikat miqësore ndaj mjedisit, hapësirat e gjelbërta dhe teknologjinë inteligjente për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe emetimet e dioksidit të karbonit”.
Mbi 80,000 metra katrorë parqe dhe hapësira të lira po planifikohen gjithashtu, së bashku me 170 dyqane. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, i themeluar në vitin 627 p.e.s.
“Një histori e pabesueshme në sfondin e atij që do të jetë një destinacion krejt i ri lukzos. Kemi realizuar shumë projekte ndër vite rreth botës, por nuk kam dyshim se pikërisht ky do jetë absolutisht më i miri ndër ta”, thotë Alabar.