Gjykata ka pranuar kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu për ta kaluar çështjen “Gërdeci” nga gjykim të shpejtuar në atë të zakonshëm.
Pas seancës për mediat foli, avokati i familjarëve të Gërdecit, Dorian Matlia, i cili u shpreh se me gjykim të zakonshëm ngjarja zbardhet më mirë.
Sipas tij, kjo gjë shkon edhe në favor të familjarëve të viktimave.
Në lidhje me gjykimin e përditshëm, avokati ka thënë se do të bëhet një kërkesë e tillë, por është e pamundur të ndodhë, ndërsa tanimë procesi do të zgjasë.
Sipas tij lëvizja e Mediut ditën e sotme duke kërkuar seancë maratonë, ishte pikërisht për të justifikuar kërkesën për gjykim të zakonshëm.
“Gjykata e pranoi të drejtë kërkesën për gjykim të zakonshëm. Kjo shkon edhe në favor në familjarëve.
Pasi me gjykim të zakonshëm, zbardhet më mirë ngjarja. Procesi do të zgjasë shumë, nuk e di se me çfarë ritmesh do të punojë gjykata.
Fjalën e parë e ka prokurori, i cili do të sjellë listën e provave në seancën e ardhshme, më pas listën do ta sjellë edhe i pandehuri dhe më pas ne do të shohim.
Lëvizja e sotme e Mediut, ishte për të justifikuar kërkesën për gjykim të zakonshëm. Disa persona të listës ka qenë pjesë e procesit, disa të tjerë jo.
Unë besoj se do të ketë një proces të drejtë. Hera e parë që kjo çështje po merr një ngjyresë juridike.
Ne vazhdojmë të jemi me bindjen që aty ka disa fakte penale që jo të gjitha i përshtatet shpërdorimit të detyrës” tha ndër të tjera ai.