( FOTO: CNN Grek)/
Teksa numri i viktimave në Greqi pas zjarreve masive vijon të rritet, të shumtë janë edhe personat e humbur, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.
Ambasada shqiptare në Athinë u bë garant dje se “nuk ka asnjë shqiptar’etnik në radhët e viktimave, sot përsëri janë ngritur zëra se dy shqiptarë ndodhen mes viktimave.
Korrespondentja në Greqi e Neës24, Ira Londo, raportoi për BalkanWeb se mes të humburve dyshohet të jenë edhe dy shqiptare.
Megjithatë kjo mbetet për t’u konfirmuar nga autoritetet greke, të cilët i janë nënshtruar kërkimeve intensive.
Numri i të vdekurve deri tani është 80, por nga të dhënat e shërbimit të zjarrfikësve, mësohet se 187 persona janë plagosur.
Ngjarja bëhet edhe më tragjike kur mendon se 24 prej viktimave janë fëmijë. Ndërkohë dyshohet për qindra persona të zhdukur.
Përgjatë ditës së djeshme edhe gjatë natës, në tri zona të ndryshme të Athinës ‘shpërthyen’ 15 vatra zjarri, ku situata më dramatike ishte në fshatin bregdetar Mati.
Qindra turistë janë evakuuar nga plazhet përgjatë operacioneve të shpëtimit, me 3 gra dhe një fëmijë që u mbytën në det në përpjekje për t’u ikur flakëve. Aktualisht në terren ndodhen forca të ndërhyrjes, të cilët po vijojnë kërkimet në çdo ndërtesë.
Veritas.com.al/