Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në fshatin Zvirinë të Korçës, ku janë gjetur të vrarë me armë zjarri dy vëllezër.

 Top Channel mëson se bëhet fjalë për Andi Olldashi 33-vjeç dhe Martin Olldashi 31 vjeç, banues në Pogradec.

Trupat e pajetë të vëllezërve janë gjetur në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”.

Policia thotë se dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e goditjes me armë zjarrit pasi ishin larguar nga banesa e tyre që prej mbrëmjes së datës 07.12.2020

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë.

Forcat Operacionale të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, janë duke krehur zonën, gjithashtu janë shoqëruar në Polici disa persona për t’u marrë në pyetje nëse kanë dijeni apo jo në lidhje me këtë ngjarje. Po ndiqet itinerari i lëvizjeve dhe po kryhen një sërë veprimesh hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje si edhe kapjen e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

VERITAS.COM.AL