Të dielën e 9 nëntorit, qytetarët e Tiranës, Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit, do ti drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur të parin e qytetit të tyre.

Presidenti Bajram Begaj firmosi këtë të mërkurë dekretin për zgjedhje të parakohshme në 6 bashki. Në relacionin që e shoqëronte, kreu i shtetit, argumentoi edhe arsyet se përse Tirana duhet të shkojë në zgjedhje. Begaj thotë se padia e të shkarkuarit Veliaj në Gjykatën Kushtetuese nuk e pezullon vendimin e Këshillit të Ministrave, sepse ai nuk është shkarkuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës apo ligjeve, por për mosparaqitje në detyrë.

“Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.”

Sipas presidentit, Veliaj ka trokitur në Gjykatën e gabuar. Nëse do të dëshironte të pezullonte shkarkimin e tij, do duhet të bënte padi në Gjykatën Administrative.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.”

Partitë politike kanë afat 10 ditë për tu regjistruar, koalicionet 14 ditë ndërsa kandidatët duhet të shpallen 18 ditë, nga data e dekretit të presidentit. Pas këtij momenti do të nisë edhe fushata për zgjedhjet e pjesshme, e cila do të zgjasë dy javë. Tashmë socialistët e kanë nisur fushatën, pasi kandidatja për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka nisur takimet me qytetarët. Ajo ka ndarë momente nga një bisedë me të moshuarit, duke shpalosur edhe prioritetet për këtë kategori. Ndërsa demokratët nuk e kanë ende një emër.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *