Edhe pse nuk pranoi të japë një koment konkret për përgjimet e publikuara ku përfshihet shefja e grupit parlamentar të VV-së Mimoza Kusari – Lila me anëtarin e Listës Serbe, Sllavko Simiç, mesazhi i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ndaj qeverisë Kurti ishte i qartë.

Milan Radojiçiç është në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiç ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”.

Ambasadori Hovenier, tha se e ka të vështirë të thotë nëse janë afër apo jo të një zgjidhjeje në veri të Kosovës, mirëpo theksoi se duhet të ndodhë sa më parë.

“Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangen momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”.

Këto deklarata ai i bëri pas hapjes së zyrave të reja të qendrës “Bonevet” në Pejë./abcnews.al