Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë për shkarimin e Mynyr Konit si rektor i Universitetit të Tiranës. Presidenti ka dekretuar vijimin e ushtrimit të detyrës nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Më 13 prill Ministria e Arsimit Besa Shahini i kërkoi presidentit Meta, shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Shahini tha se institucioni që ajo drejton ka vendosur pezullimin e rektorit Koni, ndërsa tha se i është drejtuar me kërkesë kreut të shtetit për shkarkimin e tij. Ajo do të shprehej se ‘Na duhet një frymë bashkëpunimi mes studentëve e pedagogëve, pedagogëve e udhëheqësve të universitetit, udhëheqësve mes tyre apo edhe me ne si ministri – gjë që është bërë e pamundur në Universitetin e Tiranës dhe sot jemi në këtë pikë ku unë detyrohem të marr një vendim të vështirë si ky i pezullimit të rektorit’.
Ministrja deklaroi se Presidenti do të kishte në dispozicion të gjithë materialin e përgatitur nga grupet e inspektimit duke e akuzuar Konin për keqmenaxhim.
Sipas Presidentit Meta, procesi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka pasur shkelje procedurale dhe të afateve, angazhim politik për t’i shërbyer një qëllimi të diktuar, diktim vullneti nga ana e qeverisë, tejkalim kompetencash të grupeve të punës të kontrollit nga MASR, cenim i parimeve kushtetuese, presion mbi Rektoratin e UT etj.
Veritas.com.al/