Në konferencën e paralajmëruar për mediat sot pasdite, Presidenti i Republikës Bujar Nishani deklaroi se Fatmir Xhafaj është i papërshtatshëm për t’u bërë ministër i Brendshëm, duke pasur parasysh të shkuarën e tij si hetues i kohës së komunizmit.
Por megjithatë ai e ka dekretuar Xhafajn për ministër, dhe saktësoi se “Kushtetuta nuk me jep të drejtën” që të refuzoj emërimin e një ministri, pasi një kompetencë të tillë e ka Parlamenti.
Bujar Nishani tha qartë se nëse do të kishte një kompetencë të tillë, do ta refuzonte menjëherë Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm.
Kreu i shtetit theksoi se shpreson që Parlamenti të marrë parasysh kërkesën e tij dhe denoncimet publike të bëra ndaj Fatmir Xhafajt, që të refuzojë emërimin e deputetit socialist në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Kam ndjekur me shqetësim edhe disa debate të fundit lidhur me kandidaturën e ministrit të Brendshëm. Ka patur dëshmi publike që akuzojnë kandidaturën e ministrit të Brendshëm për ushtrim dhune. Në këto rrethana, kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por kushtetuta nuk ja jep të drejtën Presidentit për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht për të qenë ministër është ai që plotëson kriteret për të qenë deputet.
Në rast se Kushtetuta do ja jepte këtë të drejtë Presidentit, unë do ta refuzoja. Unë shpresoj që ai institucion që ja jep këtë drejtë, që është Parlamenti, do të gjykojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politike”, tha Presidenti Bujar Nishani.
/Veritas.com.al/