Raundi i tretë për dorëzimin e emrave për kreun e ri të shtetit nuk pati surpriza duke regjistruar të njëjtin fat si dy të parët.
Njësoj si pararendësit e tij, edhe ky raund u dogj duke i hapur rrugë mazhorancës – Partisë Socialiste – që të zgjedhë presidentin e ri.
Socialistëve u mjafton një shumicë e thjeshtë (71 vota) për këtë verdikt në raundin e katërt ose të pestë.
Nga radhët e Partisë Demokratike nuk pati asnjë emër të dorëzuar në Kuvend.
Partia Socialiste nuk do të dorëzonte asnjë emër përpara raundit të katërt.
Administrata e Kuvendit ka bërë me dije se seanca e raundit të tretë do të jetë me fillim në orën 10:00 të 30 majit.
Ky ishte edhe afati i fundit për mbajtjen e këtij raundi.
Ngërçi brenda vetë të djathtëve duket se ka sjellë edhe ngërçin tërësor në proces.
Kjo, pasi nuk ka një dakordësim apo diskutim të mirëfilltë të brendshëm e të unifikuar për një emër të propozuar.
Çfarë ndodhi?
Seanca e parashikuar për votimin e Presidentit të ri të Shqipërisë i gjeti sërish palët nga opozita dhe mazhoranca pa një konsensus.
Afati i fundit i dorëzimit të emrave për raundin e tretë ishte 30 maji, deri në orën 16:00.
Mazhoranca ka paralajmëruar se propozimet e tyre do të vijnë vetëm në raundin e katërt dhe të pestë, duke i lënë kështu tre raundet opozitës.
Pavarësisht se javën e kaluar pas takimeve mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës u duk si një “dritë jeshile” për propozimin e kandidatëve, çdo gjë u hodh poshtë të premten.
Kreu i Grupit Parlametar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, njoftoi të premten se mazhoranca nuk ishte dakord me kushtet e vendosura, prandaj ata nuk do të paraqesin asnjë kandidaturë të dielën.
Sakaq ishte parashikuar që katër do të ishin kandidatët e propozuar nga opozita.
Përkatësisht dy nga grupi i Enkelejd Alibeaj dhe dy të tjerë nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim i Fatmir Mediut dhe Grupi për Demokraci dhe Integrim i Mesila Dodës.
Ndërkohë prej këtyre emrave dy do të zgjidhen nga socialistët. Pas kësaj do të krijohej një grup i përbashkët prej gjashtë anëtarësh, në përbërje të së cilit do të ishte nga PD-ja dhe PS-ja.
Nga ky grup do të dalë një kandidat – i propozuar me firma të përbashkëta PD-PS – që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.
Kujtojmë se raundi i parë i votimeve u përmbyll pa asnjë kandidat. Po ashtu, edhe i dyti.
Çfarë parashikohet në Kushtetutë?
Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.
Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.
Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.
Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.
Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.
Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.