Alibeaj ka kërkuar që të diskutohen të gjitha pikat “hap pas hapi” dhe “të mos ketë më vend për debat”.
Sipas tij, ky proces është diçka që nuk mund të zhvillohet me “shpejtësinë e erës”, pasi kërkon kohën e tij.
Nga ana tjetër, Balla ka ravijëzuar se, negociatat mund të kenë ecuri nëse të gjitha palët do të kenë mundësi të propozojnë emra.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për fleksibilitet, lidhur me dokumentin e propozuar nga opozita, ku janë vendosur disa kritere për presidentin e ri.
Sipas Alibeajt, opozita ka rënë dakord që jo vetëm të marrë pjesë, por të jetë aty për një proces real dhe të sinqertë.
Për të, Presidenti duhet të jetë “neutral, t’u qëndrojë sfidave”.
Kështu dita e sotme do të jetë një panoramë e përgjithshme përpara datës 23 maj, si data e fundit votimit të raundit të dytë.
Shpesh në takime, temë kryesore e bisedës është kthyer mosmarrëveshja brenda opozitës, si dhe akuzat që ata kanë kundrejt shumicës.
Nga njëra anë, Enkelejd Alibeaj e cilësoi procesin si një “farsë”, pasi mazhoranca i ka numrat vetë për ta zgjedhur kreun e shtetit dhe po e mënjanon e bojkoton opozitën nga procesi.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mediu, i bëri thirrje pjesës tjetër të opozitës, që të ulej në tryezën e bisedimeve me shumicën parlamentare.
Megjithatë, një thirrje, ai ua bëri edhe socialistëve, duke u thënë se presidenti duhet t’i takonte opozitës.
Balla, po ashtu e ka bërë të qartë se nuk ka pasur emra të propozuar nga palët dhe i ftoi deputetët opozitarë të bëhen pjesë e bisedave.
Po të njëjtën gjë e ka ravijëzuar edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila është pjesë e grupit negociator të PS-së për Presidentin.
Ajo i ka ftuar deputetët e opozitës të propozojnë emra konkretë dhe t’i lënë mënjanë retorikat politike.
Data e fundit për dorëzimin e kandidaturave, ndërkaq, do të jetë 22 maji, në orën 16:00.
Çfarë parashikon Kushtetuta?
Procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.
Kushtetuta parashikon se nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.
Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e tretë.
Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.
Rruga drejt një presidenti me konsensus të gjerë kalon edhe nga miratimi i opozitës.
Për t’u zgjedhur që në raundin e parë duheshin 84 vota.
Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.
Në krye të shtetit që prej 2017-ës është Ilir Meta.