
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën në Theth, ku po prishen ndërtimet pa leje.
Në mbledhjen me deputetët dhe drejtorët e bashkisë në Tiranë, Rama u shpreh se shumica e atyre që ndërtuan pa leje për qëllime fitimi, nuk janë banorë vendas.
Rama shtoi se Policia e Shtetit po vijon hetimet, se kush qëndron pas pushtimit kriminal të qendrës së Thethit.
“Ky është një proces që po shtrihet hap pas hapi në të gjithë republikën, të gjithë deputetët të anagzhohen intensivisht në qendrat e qarqeve, ku problematika e hapësirave publike është më e prekshme. Dua të ndalem një moment tek çështja e Thethit, për të adresuar disa këndvështrime që meritojnë të adresohen që të bëhet e qartë për të gjithë, se cila është qasja jonë. Kam vënë re që ka një teori shumë sipas meje, për të ardhur keq, lidhur me fajin, kush e ka fajin. Duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë, përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Kemi disa njerëz të shkretë që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa, dhe kemi disa njerëz që i kanë lënë. Këtu bëhet fjalë për individë që janë ngjitur deri atje, një pjesë e konsiderueshme nuk janë banorë të atij vendi. Janë individë që nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë. Policia e Shtetit po merret me hetimin, se kush është mbrapa pushtetit kriminal të qendrës së Thethit. Bëhet fjalë për ndërtime për qëllime fitimi. Nuk e di të ketë ndonjë teori që e amnistron shkelësin e ligjit , duke iu ngarkuar fajin strukturave të shtetit. Natyrisht që dhe strukturat kanë përgjegjësinë e tyre, dhe e kanë marrë këtë përgjigjësi. Zonja Gjeli nuk ka pranuar as të fillojë hetimin. Në Theth janë goditur 40 subjekte, kanë pasur më shumë se 1 ngrehinë. Policia e Shtetit ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh dhe prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim. Ne kemi shkuar në Theth së bashku me kryetarin e bashkisë dhe me agjencinë e Kadastrës, që kur shkuam dhe premtuam legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, ne e kemi përmbyllur atë proces, me rreth 300 legalizime, kanë pronën e tyre në zonë e Thethit. Premtimi ynë ka qenë, do legalizojmë pronën e gjyshërve. Ne nuk kemi thënë, na jepni votën që të ndërtoni pa leje. Janë ndërtime të bërë muajt e fundit”, theksoi ai.
Komente