PRISHTINË- Pas vendimit të Gjykatës Speciale, në Prishtinë, kanë nisur protesta nga qytetarët që ishin mbledhur në shesh në pritje të vendimit.
Me thirrjet “UÇK, UÇK”, dhe duke përmendur emrat e ish-krerëve të UÇK-së, qytetarët shprehën pakënaqësinë kundër këtij vendimi. Ky vendim njollos Kosovën dhe luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi.
Vendimi i Gjykatës për katër ish-krerët e UÇK-së:
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas Gjykatës, Thaçi u mbajt penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Jakup Krasniqi u shpall fajtor për krime lufte dhe u dënua me 25 vjet burg, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ndërsa Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Veselin fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Ndërkohë, Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas trupit gjykues, Selimi u gjet fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Komente