Frrok Çupi/
Pesë minuta më vonë hynë në rrjete ‘profesorët’, ‘gazetarët’, analistët, ‘politologët’ prej partive dhe prej vulgut. Hynë në rrjetin e lajmeve; pesë minuta pasi Rudina Hajdari deklaroi se ‘djegia e mandateve të opozitës është atentat kundër demokracinë’, pasi tha se ‘Basha duhet të largohet’, dhe pasi tha se ‘do të inicioj iniciativën për tryezë të partive’…
Këta ‘filozofët’ e vulgut, që tanimë Mark Zukerberger iu ka dhënë të drejtën të kenë secili median e vet, që quhet fb, nisën ta shajnë Rudinën: “Hë, moj ti, na e mbushe mendjen, as që di të flasësh…’. ‘Po ti moj do të na japësh mend, që të dridhet zëri?!”. ‘Ama ti, bijë e babait, u bëre tradhtare e Partisë’. ‘Shiko moj ti, një grusht njeri, dashke me na dhënë mend…”.
Ja kështu e pritën ardhjen e parë të Rudina Hajdarit. Por këta ‘politologë’ të gardhiqeve, bash këta, me sharjen e tyre zbuluan se Rudina është ajo që i nevojitet vendit dhe Demokracisë. Rudina- si përfaqësuese e brezit, Rudina si kulturë, Rudina si dashuri për demokracinë, si Demokrate e papërlyer nëpër gjirize vrasjesh dhe grabitjesh; dhe më në fund, Rudina si njeri i zakonshëm…
Vendi po vuan prej 30 vjetësh, dhe 50 vjet të tjera më parë, prej njerëzve ‘huge’, o ‘katallanë’, o ‘burra trima e të besës’, o që ‘të marrin gjak në vetull’, ‘o që të vrasin në mes të ditës’, o që ‘të marrin frymën si të fortë’…. Po, jo!, mor filozofë, nuk na bënë punë këta; këta po i thonë edhe qeverisë ‘hë mo, pa na dil përpara se kemi bomba… A…, nuk je trim’… ‘Iku ai shoku yt në Maqedoni kur i dogjëm zyrat?…, kështu do të ikësh edhe ti…. Do të ta djegim shtëpinë dhe do të të varim me kokë poshtë!”. Por këta njerëz, kur ‘e rrjepin’ kështu njeriun e fortë në qeveri, a e di çfarë të bëjnë ty o njeri i vulgut?!
Po njeriu i vulgut i kthehet Rudina Hajdarit dhe e shan, por e shan deri ditën kur Rudina do të jetë ‘e fortë’. Kur njeriu i vulgut ta shikojë Rudinën në krye të shtetit, atëherë ky do të lëpihet te këmbët e saj.
Kategoria ‘Rudina Hajdari’ është lidere e re e botës së përparuar. As ka bërë mëkate, as ka kryer krime, as ka pjesë në establishmente dhe në kasta sunduese. Kjo është arsyeja pse kombi duke u zhvilluar do të ketë në krye ‘Rudinën’. Si Rudina janë udhëheqësit e rinj të kombeve perëndimore, duke filluar që nga Donald Trump, që erdhi si çudi përmes rrugës së njeriut të zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm.
Rudina Hajdari do të vijë si ligjësi e ‘mos- vdekjes së Demokracisë’. Lidershipi i tanishëm e ka asfiksuar Partinë Demokratike, duke e lënë vendin pa simbolin e ndarjes së epokës mes diktaturës komuniste dhe të ardhmes. Jo vetëm si bijë e liderit të Demokracisë, por si një shkollare e demokracisë amerikane, ajo ka shumë miq, ka aleatë të vërtetë, ka mirëkuptim, ka diskrecion me Shtetet e Bashkuara dhe me Europën, që këta udhëheqësit ‘e fortë’ i dhanë shkelmin. Rudina, ajo ‘e vogla sa një mace’, siç e shajnë në facebook, ajo do të zbulojë, si Kromuelli në Britani, mbretin kriminel. Kromuelli, edhe pasi vdiq mbreti kriminel, e zhvarrosi dhe e vari skeletin në shenjë të drejtësisë së kombit. Aty ka nisur kthesa e madhe e britanikëve – shkollë e të drejtës në jetën moderne.
Rudina do të jetë një ‘Kromuell’ e brishtë dhe e drejtë. Mos e harroni këtë, o njerëz të vulgut që shani sot.
Veritas.com.al/