Nga: Express/

Zhytja, kjo ndjenjë drithëruese e përshkon në çdo çast të jetës. Ujërat janë pasioni më i madh shpirtëror i tij. Puna që ai bën lidh gëzimin dhe njëkohësisht hidhërimin. Është ky, Ismajl Kasumi, njeriu i “veshur” me petkun e humanizmit. Ai është një personalitet shumë i veçantë, i cili që nga fëmijëria shquhet me talentin për zhytje në ujë, por edhe për zbardhjen e fatit të njerëzve, shkruan Express

Ajo që ndodh nën ujë duhet të jetë mister, të cilën vetëm zhytësit e kuptojnë. Viti 1970 ka qenë viti i kthesës së tij të madhe në jetë. Viti që e kishte nisur rrugës për t’u bërë njeriu i parë i rrallë në Kosovë – zhytës.

Kasumi do të shpëtonte jetë të panumërta njerëzisht përgjatë viteve. Por edhe ai që nxori nga liqenet, kanalet dhe puset viktima të dallgëve të vdekjes. Gjatë gjithë jetës së tij, Kasumi, nga ujërat e Kosovës ka nxjerrë rreth 500 trupa. Thellësia më e madhe të cilën ai e kishte përshkuar kishte qenë rreth 120 metra në Detin Adriatik.

Ka nxjerrë nga ujërat e Kosovës rreth 550 trupa të kosovarëve, të cilët kanë vdekur në rrethana të ndryshme. Këtë punë, zhytësi nga fshati Grabanicë i komunës së Klinës, e kryen që nga viti 1972. Viktima e parë që kishte nxjerrë nga ujërat e liqenit të Badovcit kishte qenë Remzi Xhambazi. Pas atij momenti, Ismail Kasumi ka vazhduar me trajnime të rregullta në Kroaci rreth zhytjes.

Por për ta kryer këtë punë, zhytësi nga Klina, Ismail Kasumi, përveç vështirësive të rrugëtimit nënujor, ai përballet edhe me një gjendje emocionale të përzier. Thotë se e ka të vështirë t’i nxjerrë trupat nga uji, por këtë punë ai po e bën vetëm për familjarët.

Ka pasur mjaft, sidomos rastet tragjike kur ne kërkonim trupin deri në 20 ditë. Pastaj, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u ballafaqova me dyzet viktima që i hodhi okupatori serb. Në fshatin Mleqan, nxora trupin e pajetë të Sherif Kryeziut, vazhdova në Kuçicë, komuna e Skenderajt; pastaj në Çubrel (Skenderaj), nxora vëlla e motër, e shumë e shumë raste të tjera.

“Ka pasur mjaft, sidomos rastet tragjike kur ne kërkonim trupin deri në 20 ditë. Pastaj, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u ballafaqova me dyzet viktima që i hodhi okupatori serb. Në fshatin Mleqan, nxora trupin e pajetë të Sherif Kryeziut, vazhdova në Kuçicë, komuna e Skenderajt; pastaj në Çubrel (Skenderaj), nxora vëlla e motër, e shumë e shumë raste të tjera”, ka rrëfyer për jetën e tij Kasumi.

Kasumi shpjegon për momentin kur ballafaqohet me viktimat nën ujë.

“Unë jam një njeri që ndoshta, të qindtat e sekondës ma kanë bashkuar gëzimin dhe hidhërimin. Gëzim i madh është kur e gjen viktimën. Ndonjëherë është moment edhe më i rëndë kur ballafaqohem me dhembjen e familjes së tij. Ndaj kësaj askush nuk mund të qëndrojë indiferent”, thotë ai.

Tutje ai thotë se nuk ka lum në Kosovë të cilin nuk e ka përshkuar.

“Nuk ka lumë në Kosovë, ku nuk kam intervenuar. Duke u nisur nga Bistrica, Drini i Bardhë, Sitnica, Lepenci, Llapi, Morava, Nerodimja, dhe gjithë lumenjtë tjerë. Lumenjtë dinë të fshehin viktimat, por edhe t’i zhveshin dhe bartin ndër rrënjë, mirëpo, mua Zoti më ka ndihmuar, pasi që këtë punë e bëj në aspektin humanitar e jo për përfitime personale. Kemi pasur raste kur pas 4-5 km e kemi gjetur viktimën. Me mburrje e them, deri më sot, nuk ka ndodh që të mos e gjejmë viktimën.

Por nga nisi pasioni i tij për zhytjen, tregon Ismail Kasumi

Meqenëse unë jam nga fshati Grabanicë, komuna e Klinës, e kam frekuentuar shpesh Bistricën (Lumbardhin) që e kisha 15 metra larg shtëpisë sime. Notin e mësova në kraharorët e dy vëllezërve të mi, të ndjerë, Hasanit dhe Arifit. Kam qenë i shkathët që i vogël…

Në vitin 1952, për shkak të akuzave në aksionin e armëve, vendosin të vijnë në Prishtinë, ndërsa dy axhallarët u shpërngulën në Turqi. Unë fillova shkollimin në shkollën “Vuk Karaxhiç” (tash Elena Gjika), pastaj shkollën e mesme ekonomike dhe më 1969 dhe u regjistrova në Fakultetin ekonomik. Notin gjithnjë e kam pasur pasion, kështu që prej shtëpisë dilja këmbë nga fshati Mat (ish-Matiqan, Lugmir (Zlatar) në liqenin e Badovcit. Ne ishim një grup shokësh, laheshim, freskoheshim, ndërsa fati e deshi që një ditë, papritmas dy të moshuar, ulur skaj liqenit na ftojnë të notonim. Ne, filluam notin, pastaj ata kërkuan se kush prej nesh, po hyn dhe po qëndronte më gjatë në ujë. Më kujtohet mirë, kam hyrë në liqe, kam kapur një rrënjë poshtë nën ujë dhe kam qëndruar shumë gjatë. Kur kemi dalë, ata njerëz janë prezantuar. Njëri prej tyre tha se është Prof. Bardhyl Zajmi, drejtor i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa tjetri, Mehmet Maliqi, sekretar i Mbrojtjes Popullore.

Ata më thonë se donin të formonin një ekip të zhytjes, i cili do të merrej me peshkim dhe skijim në ujë. Prej atij momenti, unë u kyça dhe në vitin 1970, më dërgojnë në qendrën sportive në Badi, afër Korçullës. Një profesor nga Zagrebi mbante ushtrimet me neve. Hapat e parë të zhytjes i morëm nga Prof. Marian Llanc, dhe shumë herë them, Kosova i ka shumë borxh këtij njeriu.

Me një qëndrim 21 ditësh, u aftësuam një grup prej pesë vetave. Me t’u kthyer nga Badie, në shëtitore, Korzo, papritmas rreth orës 22 vjen një veturë policore, i drejtohet grupit që shëtitshim dhe pyesin se cili nga ne ishte Ismaili. Unë, i habitur lajmërohem, ndërkaq ata kërkojnë që të shkoja të ndihmoja në një rast tragjik, në fshatin Dolak, komuna e Vushtrrisë. Një ‘Fiat 1300’ me tre fëmijë dhe një të rritur, kishte rënë në lumin Sitnica. Pa u hamendur, shkoj i marr pajisjet dhe mbërrij diku në ora 12 të mesnatës. Hyj në ujë deh pas pak çastesh, për xham të veturës përqafoj njeriun pa jetë.

Deri në atë kohë, kurrë nuk kisha parë ose prekë kufomë me sy. Dal prej aty i tmerruar, ndërsa Prof. B. Zajmi, më drejtohet “Ismail, krejt ky popull i ka sytë në ty. Këta janë të vdekur, nuk ka teori të zgjohen, por po presim që të nxirren nga uji”. Hyj sërish dhe i nxjerri ata të tre dhe vjehrrën. Prej aty, kthehem në shtëpi natën, i marr veshjet e zhytjes dhe i lë për t’u terur. Kur ngrihet nëna në mëngjes, më drejtohet me fjalët “Ismail, po të lut nana, pashë gjirin që ta kam dhënë, mos shko nëpër ujë, sepse si fëmijë të kemi nxjerrë të mbytur nga Bistrica”.

Veritas.com.al/