Deputeët që mburren si ‘kallzimtar’ të devotshëm mbi sekretet që marrin vesh për shkak të detyrës, rrezikojnë jetën e disa personave. Këtë e bëjnë vetëm për t’i shërbyer Partisë me servilizëm.

Kjo ndodhi gjatë punimeve të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për gjykimin mbi arrestimin e deputetit Saimir Tahiri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar alarmin mbi kërcënimin që përbëjnë deputetët ‘kalzimtar’ të Këshillit, për jetën e qytetarëve.

Në një deklaratë të orëve të mbrëmjes, Prokuroria për Krime të Rënda thotë se po konstaton me shqetësim se prova dhe fakte të paraqitura prej saj në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, në Kuvendin e Shqipërisë, janë bërë dhe po vijojnë të bëhen publike.

Sipas saj rasti me flagrant është shënuar këtë të shtunë kur nga brenda Këshillit, gjatë paraqitjes së provave në seancën me dyer të mbyllura, janë publikuar të dhëna, të cilat, jo vetëm cenojnë hetimin, por edhe vënë në rrezik serioz persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.

Prokuroria për Krime të Renda thotë se në seancat në Kuvendin e Shqipërisë, janë shqyrtuar të dhëna hetimore për një grup të strukturuar kriminal, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.

“Disa nga personat në hetim janë në kërkim. Ata qëndrojnë të fshehur dhe rezulton se ende nuk ka asnjë rezultat për kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, e për këtë arsye, ata përbëjnë rrezik serioz për jetën e personave që kanë dijeni për veprën penale” – thotë Prokuroria.

Sipas saj në seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj tërhoqi vëmendjen e Këshillit për të ruajtur sekretin e të dhënave hetimore.

“Por, pavarësisht se materialet, të konsideruara sekret hetimor u paraqitën pas nënshkrimit të deklaratës përkatëse për “ruajtjen e sekretit hetimor” nga ana e anëtarëve të Këshillit, sërish rezulton se të dhëna të ndryshme janë bërë publike. Është e rëndësishme të theksohet se nxjerrja e sekretit hetimor përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas parashikimeve ligjore.

Përfaqësues të Prokurorisë për Krime të Rënda, në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionit, u paraqitën para Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, duke prezantuar qëndrim korrekt, procedural dhe institucional.

Por, konstatohet se publikimi i të dhënave “sekret”, sidomos mbi ekzistencën e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, cenon rënde të gjithë procesin hetimor që është në vijim, si edhe intimidon e cenon integritetin fizik të këtyre personave” – thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Veritas.com.al/