Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi sot procesin e intervistimit të kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), që parashikohet të jetë gati rreth datës 12 korrik.

Në fund të intervistimit të katër kandidatëve të parë, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, zbuloi arsyet pse ky proces u vendos të bëhej me dyer të mbyllura dhe jashtë syrit të kamerave.

“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri kandidat mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirur të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi sot, në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Sot konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.

KLP mori sot në pyetje kandidatët Altin Dumani, që është drejtues në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda, Anton Martini prokuror te Krimet e Rënda, Arben Kraja prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme dhe Anita Jella drejtuese e Prokurorisë së Durrësit, prej të cilëve vetëm prokurori Kraja ka kaluar me sukses procesin e Vettingut.

Lidhur me këtë, kreu i KLP është pyetur nëse ndonjëri nga kandidatët rrezikon të bëhet pjesë e SPAK, pasi mund të ngecë në Vetting. Ibrahimi nuk e përjashtoi rrezikun, duke thënë se KLP merret me profesionalizmin, ndërsa Vettingu me integritetin. Më tej, ai shtoi se i gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët.

“Rreziku ekziston, aftësia profesionale dhe integriteti shkojnë pranë-pranë. Ky proces synon profesionalizmin, ndërsa Vettingu integritetin. Kam besimin që të dy proceset do shpien drejt rezultateve të njëjta.

Ndërkombëtarët janë pjesë e çdo etape të këtij procesi, kanë folur një për një, kanë punuar krah për krah. Ata nuk mund të japin pikë në fund, por ne nuk mund të fluturojmë përtej gjetjeve të procesit.

Ne duam të marrim më të mirën e kandidatëve, meraku ynë ishte që po të bëhej publik procesi i intervistimit, kandidatët nuk do të ishin të lirë. Morëm një mendim për vështirësitë që kanë hasur ndaj proceseve gjyqësore.

Ata dhanë arsyet dhe motivet për të konkurruar, si psh., që vlerësimi këtë radhë do të jetë maksimal. Edhe procesi i përzgjedhjes, kujtojmë si përzgjidheshin prokurorët e Krimeve të Rënda dikur, është si nata me ditën me tani. Besimi i tyre te procesi ishte një arsye kryesore për të konkurruar”, u shpreh kreu i KLP.

Veritas.com.al/