Prokuroria ka kërkuar sot 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD-së Ervin Salianji, dënim që konvertohet në 3 vite shërbim prove sa i takon akuzave për çështjen ‘Babalaja’, ku vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj u fajësua për trafik droge.

Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj ka kërkuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Albert Veliun, i cili akuzohet për ‘Kallëzim i rremë’ dhe ‘kalim të paligjshëm të kufirit’, ndërsa për Fredi Alizotit- 3 vite burg. Ndërkohë për gazetarin Jetmir Olldashin prokuroria kërkoi 1 vit burg, dënim ky që të zëvendësohet me 200 orë pune publike të detyruara.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Hysenaj pohoi se rezultoi e provuar se këta persona kanë bërë kallëzim të rremë të kryer në bashkëpunim, ndërsa kërkoi shpalljen e tyre të fajshëm.

Sipas organit të akuzës, regjistrimet e publikuara, ku flitej për pazare droge, nuk janë origjinale. “Nuk janë origjinale regjistrimet e publikuara. Në bisedën e 2 dëgjohet një zë i një burri të dytë. Kampioni i zërit të emërtuar ‘Agroni’ është i një cilësie të dobët. Ky zë nuk është i Agron Xhafajt. Salianji ka bërë kontaktin mes Albert Veliut dhe Jetmir Olldashit.”, mësohet të ketë thënë prokurori i çështjes. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Agron Xhafajt ka kërkuar në seancë gjykimin e fajtorëve. Tashmë seanca e radhës është më 18 dhjetor, pasi dhe avokatët kanë kërkuar kohë për konkluzionet e mbrojtjes.

VERITAS.COM.AL/