I pari është thërritur në Prokurori për t’u pyetur sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani.

Arben Ristani është thirrur në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar lidhur me kontratën e lobimit me SHBA

Në një prononcim për median Arben Ristani tha se  PD nuk ka asgjë për të fshehur lidhur me kontratën e lobimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, sipas Ora Tv.

Hetimet nisën pas akuzave të Partisë Socialiste, ku u theksua se selia blu kishte paguar 1 milionë euro nëpërmjet një kompanie offshore. Më përpara prokuroria i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe vetë Partisë Demokratike të paraqesë dokumentacionin që kanë mbi këtë çështje.

Pak ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla, deklaroi se fotoja me Presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh, në prag të zgjedhjeve, i kushtoi PD-së me qindra mijëra dollarë, prejardhja e të cilave sipas tij, nuk ishte bërë asnjëherë e ditur nga Lulzim Basha.

Përfaqësuesi i maxhorancës,  Balla citoi investigimin e revistës “Mother Jones” që sipas tij nxjerr të dhëna të reja skandaloze që e lidhin Partinë Demokratike me Kremlinin.

“Sipas këtij investigimi të bazuar mbi dokumentet zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nick Muzin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA, është paguar jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci, e quajtur “Biniatta Trade”. Kontrata e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nuk lë vend për dyshime. “Biniatta” ka paguar 150 mijë dollarë direkt për llogari të Partisë Demokratike si “kompensim shpenzimesh për Muzin”. Në vijim janë paguar edhe tre këste të tjera me nga 150 mijë dollarë secila, si dhe një pagesë fillestare prej 500 mijë dollarësh, në total 1 milion dollarë. Por, kush është ky “bamirës” i fshehur i Lulzim Bashës?

Investigimi i “Mother Jones” tregon se pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh.

Dje në programin televiziv Opinion të Klan, zoti Basha bëri përpjekje për të mohuar përzierjen e  tij në afera ilegale me lobingjet në Amerikë. Ai tha se media amerikane ‘është paguar nga Edi Rama”, për të dëmtuar imazhin e tij dhe të PD. Nga gjithë programi, ajo që mbeti si ‘fakt’ i dobishëm për pagesat, ishte një foto e realizuar mes Bashës dhe presidentit Trump.

Por dje, përveç ‘Mother Jones’ , në të njëjtën linjë kanë shkruar rreth aferës  edhe Neë York Times, AP, Zëri i Amerikës, etj.

Veritas.com.al/