GJKKO ka vendosur sekuestro preventive te pasurive të paluajtshme llogarive bankare dhe aksioneve që dhëndri i Sali Berishës dispononte. Vendimi u mor dje nga GJKKO mësohet nga njoftimi i SPAK.
“Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)” thuhet në njoftimin e sotëm në SPAK.
Dhëndri i Berishës akuzohet se ka kryer “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën.
Gjithashtu, ai dyshohet se në bashkëpunim me ndërtuesin ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK deklaroi se Berisha në cilësinë e tij si kryeministër ka favorizuar procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë Malltezi.