Kryeministri Edi Rama është shprehur sot se nuk do të ketë dëmshpërblim 100% për banorët e Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re.

Gjatë takimit që është duke zhvilluar sot me disa qytetarë të cilët flasin për zgjidhjen që kanë marrë për disa probleme duke iu drejtuar portalit, Rama ka thënë se ata banorë që sot protestojnë, kanë ndërtuar pa leje dhe kanë zaptuar tokë të përbashkët.

Ai u ka bërë thirrje që të hapin rrugën dhe të mos protestojnë, ndërsa ka shtuar se në këtë mënyrë janë duke turpëruar veten dhe po bëhen “mish për top” për opozitën.

“Të thonë që kemi fut letrat për legalizim nuk do të thotë që ata janë në rregull dhe do t’i marrin. Ata që kanë ndërtuar pa leje, kërkojnë dëmshpërblim 100% për çfarë? Mbi cilin ligj? Me ç’të drejtën morale? Nga ku? Nga buxheti i shtetit? Që është kontributi i të gjithëve për shkolla, kopshte etj.?

Me këto para ne të dëmshpërblejmë zaptuesit që kanë ndërtuar shtëpi në zonë?

Ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen, dhe të mos bëhen gazi i botës dhe mish për top i opozitës”, u shpreh Rama.

Veritas.ccom.al/