Partia Socialiste ka zgjedhur Durrësin për të mbyllur zyrtarisht fushatën zgjedhore për betejën elektorale të 14 majit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij tha se Durrësi me ndërtimin e dy porteve të reja dhe me hekurudhën, do të kthehet në lokomotivën kryesore e transformimit ekonomik të të gjithë vendit.

“Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik, jo vetëm të bashkisë, por të republikës së Shqipërisë. Durrësit është kthyer ne qendrën e gravitetit, të një momenti tjetër të zhvillimit tonë ekonomik. Pas shumë përpjekjes është vendosur baza, me portin e ri turistik, me portin e ri tregtar, me hekurudhën. Durrësi bëhet pikë lidhëse jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin tonë. Durrësi do të rikthehet në atë që ka qenë historia e largët, historia e asaj porte kryesore, që romakët e përdorën për të hyrë dhe për t’u shtrirë në territore të tjera”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri u shpreh se më 14 maj, diferenca në favor të Partisë Socialiste do jetë më mijëra vota.

“Të marrin të numërojnë sa njerëz ka këtu sot, ajo do jetë diferenca e rezultati për zgjedhjet e së dielës. Mijëra e mijëra e vota diferencë, mes Emiriana Sakos dhe atij që nuk po e zëmë me gojë, se kemi fol dhe e dimë të gjithë. Të dielën do të fillojë të shikohet më qartë, se si jo shumica, pas dy vitesh në zgjedhjet e tjera, por edhe pala tjetër e pakicës, do t’i braktisë në kërkim të diçkaje tjetër nuk po them se do vijnë te PS, sepse pastaj do më detyrojnë të shkojë ta bëjë PD nga e para, natyrisht që kjo nuk do të ndodh, por do të çlirohet Shqipëria politike nga ai makth”- tha kryeministri