KOMENT/

Polica e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), mëngjesin e 19 majit ka nisur një aksion në disa qytete të vendit. Konkretisht janë 32 urdhër arreste për krime të rënda dhe krim të organizuar.

 Operacioni i Policisë po vijon në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier. Vetëm në Elbasan janë arrestuar dhjetë persona që kanë lidhje me botën e krimit.

Mes të arrestuarve është dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Sokol Sanxhaktarin. Ndërsa urdhër arrest ka edhe për Suel Çelën. Këta akozohen si koka të grupeve të ndryshme kriminale.

Po ashtu edhe në Lezhë mes personave që priten të arrestohen është Ervis Martinaj, i cili ka qenë pjesë e grupit kriminal në vrasjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në vitin 2018.

Aksioni i SPAK po zhvillohet në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejte dhe Renea-s.

Ky aksion ka ardhur pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti. Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Ai ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e 9 prillit 2019, kur në pistën e aeroportit të Rinasit u vodh një shumë e madhe parash që po ngarkoheshin në avion. Sakaq ai akuzohet si personi, që ka vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Viktor dhe Besmir Haxhia.

Nuredin Dumani ka qenë pjesë e grupit kriminal të Talo Çelës. Por pas vrasjen të vëllait të këtij të fundit ata u bënë rivalë.