Ja pse Romeo Gurakuqi e quajti Bujar Nishanin pompist, rrëfimi i Bamir Topit ku u bazua, kur Topi shkoi ta takonte Nishani po mbushte autobusin
Gjatë ditëve të fundit pati një përplasje të fortë mes Bujar Nishanit dhe Romeo Gurakuqit. Ky i fundit shpërtheu kundër komisionit të Bashës dhe Nishanit, pasi e përjashtuan nga lista e kandidatëve për deputetë.
Bamir Topi ka rrëfyer: “Bujar Nishanin e kam njohur në një situatë mjaft të veçantë, në një ditë prilli të vitit 2001. Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, ku unë isha anëtar kryesie, po diskutohej ndarja e zonave të kandidatëve për deputetë në qytetin e Tiranës. Në përfundim të mbledhjes unë u caktova në zonën e Xhamllikut, ku përfshiheshin lagje me qytetarë autoktonë, por edhe shumë të ardhur, sidomos në pallatet tek ‘Varri i Bamit’. Meqenëse zona ishte shumë e vështirë, menjëherë pas mbledhjes në orët e mbrëmjes shkova të takoj mikun tim Veli Rada, i cili ishte koordinatori i Partisë Demokratike për zonën. Vizita ime iu duk surprizë dhe i shqetësuar më thotë: ‘Hajër ishalla’. –‘Jo, jo, s’ka gjë, por erdha të njoftoj se u caktova kandidat për deputet në këtë zonë’. U gëzua pa masë duke më dhënë kurajo se do ta fitonim garën. –Më thuaj, Veli, ndonjë emër për ta vendosur kryetar të qendrës zgjedhore të zonës, – i thashë unë. –Nuk e di, por ne kemi pasur disa oficerë në lirim që i merrnim për komision, -vazhdoi Veliu. –A ke ndonjë numër telefoni? –e pyeta unë. –Jo, – tha Veliu, – por kemi emrat e tyre dhe me sa di unë njëri prej tyre, Bujar Nishani, punon në zonën e Plepave në Durrës, në një karburant. –Ok, – i thash po shkoj ta takoj”.
Topi rrëfen edhe momentin kur takoi Nishanin. “Të nesërmen, së bashku me Kujtim Merepezën u nisëm drejt Durrësit dhe në një pikë karburanti pranë Konvaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes tek Shkëmbi i Kavajës, shikoj dikë që po furnizonte me karburant një autobus që shkonte drejt jugut. –Kujtim, shko e pyet kush është Bujar Nishani! – thashë unë, ndërkohë që shihja kush do të ishte prej dy punonjësve të pikës. Kujtimi bisedoi me personin në fjalë, afrohet tek unë. – Ai është, por sa të furnizojë autobusin do të vijë! Vërtetë ai erdhi duke kërkuar ndjesë, por edhe me kureshtje se ç’ishte ky takim, ndërkohë që ne nuk njiheshim. –Përshëndetje Bujar! –Përshëndetje! Sigurisht unë ju njoh! – tha Bujari. –Kam ardhur të të bëj një propozim për të punuar me mua për zgjedhjet politike të qershorit dhe për të qenë kryetar i KZAZ-së së zonës 35- i thash. Mbeti disi i hutuar dhe priste ndonjë sqarim më shumë. –Nëse pranon, do të largohesh nga puna, pasi do të jesh çdo ditë në komision! Mendohu dhe më thuaj në telefon. U ndamë për t’u dëgjuar në mbrëmje. Më telefonoi dhe me tha se pranonte dhe kështu nisi bashkëpunimi ynë”.
VERITAS.COM.AL