Nga: L. Skiro/
Duket sikur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati- shkodran, sot nuk kishte ku të drejtohej dhe prandaj iu drejtua familjes së Florenc Beqiraj në Shkodër. Në vend që të thërriste ambasadorin e Francës ose të thërriste ambasadorin shqiptar në Francë, iu drejtua familjes së varfër të viktimës më të fundit.
Në vend që sot shteti shqiptar të ishte duke i kërkuar përgjegjësi shtetit të Francës dhe Bashkimit Europian, bën atë që mund ta bëjnë aktivistët e të drejtave të njeriut dhe shoqatat e bamirësisë. Shteti i drejtohet familjes së Florencit sepse nuk është i zoti të bëjë detyrën e tij.
Florenc Beqiraj, djali 23 vjeçar nga Shkodra, emigrant në Francë, u dhunua për vdekje në një nga burgjet e qytetit të Marsejë. Ai vdi në spital i shoqëruar nga plagë të tmerrshme që dëshmon për vuajtje ekstreme në burgun francez. Shteti shqiptar nuk ka lëshuar asnjë notë në drejtim të shtetit Francez. As ka thërritur ambasadorin Francës në Tiranë, as ambasadorin e Shqipërisë në Francë.
As ka lëshuar asnnjë dokument ndërkombëtar për të protestuar ndaj dhunës dhe vdekjes së qytetarit shqiptar.
Në vend që të bëjë këtë, sot shteti shqiptar është ‘përulur’ para familjes së Florencit. Përulja nuk duket ndonjë shenjë pendese, as shenjë e një shprese se ‘kushedi çfarë’. Duket se shteti bën para publikut gjestin ‘e njeriut të mirë’, me qëllim që të mbulojë përgjegjësitë e veta.
Qeveria i ka akorduar sot familjes buxhet të mjaftueshëm për të sjellë në atdhe trupin e Florencit. Ndërsa Bashkia Shkodër ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit.
Por në këtë mënyrë shteti ka pranuar fajësinë dhe përgjegjësinë e ti, si dhe paaftësinë për të dalë zot qytetarëve të vet.
Veritas.com.al/