Sot, përmes një shënimi në Facebook, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, Gjet Ndoj, dha njoftimin se hiqte dorë nga ushtrimi më tej i detyrës së Drejtorit. Kuptohet, se dorëheqja është e imponuar.
Mësohet pas kësaj se posti i Drejtorit të Arkivave ishte futur në “tregun politik”. Një parti e re në koalicion, PDIU, që ndryshe quhet edhe “Partia e çamëve” ka kërkuar copë nga pushteti. Koalicioni qeveritar është zgjeruar kohët e fundit me Partinë e Çamëve për shkak të një frike që ndjeu kryeministri nga aleati kryesor, LSI, për të dalë nga koalicioni. Dalja e LSI nga koalicioni nënkupton rrëzimin e menjëhershëm të qeverisë.
Prandaj edhe Arkiat e Shtetit ranë në dorë të një “partizani” të Partisë së Çamëve. Emri i njeriut që do të drejtojë Arkivat nuk të kujton asgjë; thonë se ka qenë gazetar, por nuk dihet emri. Më në fund kishte gjetur një vend pune si sekretar personal i kryetarit të PDIU, gjë që e bën akoma edhe më të padukshëm. Ky emërohet në krye të Arkivave të Shtetit, institucion i lartë arkivor e studimor, ku përqëndrohet puna hulumtuese e kërkuesve dhe studiuesve shqiptarë e të huaj.
Në një shënim në një nga mediat e sotme thuhej se “drejtori Ndoj” nuk kishte ndonjë lidhje me Arkivat dhe studimet. Në fakt Gjet Ndoj është një studiues i mirëfilltë i historisë dhe autor librash. Ndërsa media, e cila nuk njeh gjë nga fusha e studimeve dhe studiuesve, transmeton opinione personale të ndonjë gazetari të pamësuar; nuk shkon pak më tej që të zbulojë cili është drejtori i ri. Nëse drejtori Ndoj paska shkruar “pak libra”, ky i riu nuk ka lexuar libra e jomë të ketë ndonjë mendje për të shkruar.
Çdo ditë ulet më shumë niveli i drejtimit i institucioneve në shtet.
Çudia është se nuk ka më asnjë institucion profesional ose të pavarur, as Arkiva e shtetit, as Akademia e shkencave; nesër as kisha e xhamia.