Nga: Robert Goro, Tv Tribuna
Ministri i jashtëm, Nikos Kotzias ka dhënë dorëheqjen nga posti të mërkurën pasdite.
Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e kryeministrit grek, me një njoftim të shkurtër për shtyp, ku thuhet:
“Kryeministri Aleksis Tsipras pranoi dorëheqjen e ministrit të jashtëm, Nikos Kotzias. E falënderojmë nxehtësisht për kontributin e tij në qeveri dhe ndaj vendit 3,5 vitet e fundit.
Postin e ministrit të jashtëm e merr Kryeministri, me qëllim që të kontribuojë me të gjitha forcat në përfundimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Prespës”.
Arsyeja e dorëheqjes lidhet me qëndrimin e kryeministrit Tsipras për të “lënë zbuluar” shefin e diplomacisë helene, në një përplasje me ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos të martën, gjatë një mbledhjeje të qeverisë.
Gjatë mbledhjes, Kotzias kërkoi që Kammenos të japë shpjegime për deklaratat që kishte bërë gjatë vizitës në Uashington, mbi nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në Ballkan, gjë që do të linte për më vonë çështjen e emrit të Maqedonisë.
Mediat citojnë Kotziasin të ketë thënë se deklarata të tilla diskreditojnë vendin dhe minojnë linjën që ka vendosur qeveria greke për çështjen e Maqedonisë.
Mediat gjithashtu citojnë ministrin e mbrojtjes të jetë kundërpërgjigjur duke e akuzuar Kotziasin si “njeri të Sorosit” dhe që “është i zhytur në fondet e ministrisë së jashtme”, duke aluduar për korrupsion.
Me ndërhyrjen e disa ministrave të tjerë, debatit i është dhënë fund.
Sipas medias, ministri i jashtëm ndihet i nëpërkëmbur nga fakti se kryeministri nuk ndërhyri që të merrte anën e tij.
Zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos, që u pyet të mërkurën në mesditë, i cilësoi si “shpikje të fantazisë” citimet e mediave. Zëdhënësi tha se nuk beson që ministri Kotzias të ketë pakënaqësi. Por Tzanakopoulos shtoi:
“Treni i qeverisë vazhdon rrugën, ka një destinacion të qartë, avancon në mënyrë konstante dhe do të mbërrijë në destinacion. Kush nuk dëshiron të mbërrijë në atë destinacion apo kush është i pakënaqur nga udhëtimi, mund të zbresë nga treni”, tha zëdhënësi.
Më pak se gjysmë ore pas kësaj deklarate, qarkulloi lajmi se ministri Kotzias i kishte dhënë fund qëndrimit të tij në krye të diplomacisë greke, ku u vendos që në janar 2015.
Veritas.com.al/