
Frrok Çupi
Këta thonë se Edi Rama, kryeministër, paska shkuar në Aruba për disa ‘tramte’ droge. Dikush e tha i pari, ndoshta vetë Saliu, i cili si fshatar thelbësor, e ka për tendencë që të tregojë për një vend larg, shumë larg, aq larg sa tjetri të hutohet për dy arsye: E para, të hutohet sa larg i ditka gjërat ky fshatari ynë, dhe; e dyta, aq larg sa ashtu qenka, nuk po e ngucim më por po e besojmë.
Kjo është përgjigja e parë se pse këta sajuan ‘në Aruba’ sikur ka ndodhur gjëma e drogës, domethënë për ta vendosur fushën e xhirimeve në një fund të botës, ku do ta pranojnë të gjithë: “po vallahi paska ndodhë’’. Si dikur kur thureshin këngët për ‘trimat e Jutbinës’, larg, ku nuk mbërrinte imagjinata gjeografike e njeriut të asaj kohe. Kur u zhvilluan rrugët, doli se edhe Jutbina këtu afër nesh paska qenë.
Aruba tani është larg për ta, për njerëzit e zakonshëm apo për idiotët që duan të mashtrojnë këta. Aruba është një vend ishullor në Detin e Karaibeve jugore 29 kilometra në veri të gadishullit të Venezuelës dhe 80 kilometra në veriperëndim të Curaçaos
Ata që deshën të marrin vesh se ku i çuan ngjarjet këta, hapën Google dhe panë gjithçka; të tjerët- shumicë, e morën sapunin për djathë. E morën se Saliu paska parë Edi Ramën në Aruba duke zbritur me një torbë për drogë. Përfytyrimi i të paditurve është ky, por e vërteta nuk dihet prej askujt. Madje as Prokuroria e Posaçme SPAK nuk ka njoftuar të ketë nisur hetim: Ka apo nuk ka të vërtetë; nëse dikush mashtron hapur të mbyllet në hapsane.
Por sidoqoftë emri i padëgjuar Aruba, diku në Amerikën e Jugut, i bën turmat të mendojnë se ‘diçka paska ndodhur si diku larg në Jutbinë’.
‘Jutbina’ si një fenomen i fshehjes së të vërtetës ‘diku larg’, ka hyrë në politikën tonë menjëherë pas asaj dite që u quajt ‘rrëzim i komunizmit’. Vetëm me folklor mund të mbahej një pushtet pa vlerë. Kryetari i shtetit të kohës, një rapsodik i fryrë, nisi të mashtrojë hapur menjëherë sapo mori pushtetin. Vizitën e parë si kryetar i shtetit, e bëri, jo në Perëndim, por në Kuvajt. Aty mashtroi menjëherë Amirin e Kuvajtit Abdullah Al-III Salim, pasardhës i Al-Sabah. Në vend që t’i thoshte çfarë duhej, përdori një servilosje të pështirë: “Për Kuvajtin më ka folur babai im që kur isha pesë vjeç”. Domethënë në vitin 1950. Por Kuvajti si shtet në fakt u krijua 11 vjet më vonë, në 1961. Mashtrimi i kreut të shtetit më shumë u mor vesh në Shqipëri.
Ky ishte edhe efekti. Pas vitit 1992, gjithçka që ndodh, ndodh shumë larg nga vendi ynë. Shteti ‘i ri’ e nisi me lidhjet ‘e largëta’ më Podgoricën e Beogradin për naftën që ishin shtatë male larg në Jutbinë, u larguan deri atje për të fshehur embargon për naftë e armë; pastaj në Moskë, në Mekë, në Arabinë Saudite, në Kuala Lumpur.
Askush nuk dinte as duhej të dinte se ç’po bëhej. Tregojnë se atje u krijuan rrjete të islamizmit dhe politikes islamike, celula terroriste e anti- amerikanë; por ‘ishin larg’. Kur erdhën këtu kush mund t’u bënte gjë. Kur janë larg, çdo gënjeshtër- sipas ish kreut të shtetit- vjen si larg në Jutbinë dhe bëhet Mit.
Prandaj ndodhi kjo me Arubën. Atje paska zbritur, si në përralla, kryeministri i Shqipërisë dhe paska marrë një torbë me drogë. Këta e ngrenë kauzën politike mbi mitin. Tani Aruba është mit për ta. Po kërcënojnë se do ta sjellin në Parlament. Po a hyn miti në Parlament? Tani, në këtë shekull, mitet nuk shkaktojnë më as habi.
Këta gjënë e kanë ëndërr, e kthejnë në mashtrim dhe pastaj në mit. Ëndrra dhe miti Arubë kanë një lidhje: Ëndrra mezi mbahet mend, ndërsa miti niset për ngjarje dramatike që përfundon në ëndërr.
Kjo është Aruba atje larg
Komente