(FOTO: Pikturë e piktorit kryeministër Edi Rama: Stuhi, dema në sulm, tokë e çarë… si në ndërrimin e qeverisë)/

Vritas.com.al/

Sa shumë lëvizje brenda ditës! Shumë më pak se lëvizjet që bën zakonisht qeveria kur është në “formë”, por i gëzohet postit e nuk lëviz për te njerëzit. Tani janë në alarm.

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim të gjatë, më shumë se 1 orë me njerëzit më të besuar të tij. Në minutat e fundit të takimit, në kryeministri ka mbërritur edhe Petrit  Vasili, ministër Drejtësie dhe njeriu më i besuar i Ilir Metës.

Diskutimet e tyre kanë qenë pikërisht për situatën politike dhe vendimin që ka marrë LSI-ja se pa PD-në nuk hyn në zgjedhje. Nga ana tjetër sot është shtuar edhe kushti i një presidenti konsensual mes palëve dhe jo i njëanshëm.

Në takim fillimisht ishin të pranishëm kreu i Grupit  parlamentar të PS, Gramoz Ruçi dhe kreu i PS-së Tiranë, Saimir Tahiri. Pas pak aty ka shkuar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetët Fatmir Xhafaj dhe Ervin Bushati.

Takimi i Ramës me bashkëpunëtorët më të ngushtë ndodh disa orë pas takimit që ai pati me aleatin e tij, Ilir Meta, në Kryesinë e Kuvendit.

Në nisje të takimit të Ramës me grupin e tij më të ngushtë, edhe Ilir Meta ka thirrur në Kryesi, ministrin Petrit Vasili.

Pas një ore, Vasili doli nga Meta dhe iu drejtua Kryeministrisë për t’u takuar me Ramën. Rreth orës 14:00, takimi përfundoi, por asgjë nuk u bë e ditur se cila qe tema e tij.

Megjithatë, dihet tashmë që zhvillimet politike të fundit e kanë tronditur mazhorancën, e cila ka filluar ecejaket dhe bisedimet nën presionin e një proteste mbi 40-ditore të opozitës përpara Kryeministrisë për krijimin e një qeverie teknike.