Frrok Çupi/

Gjithë lufta zhvillohet  brenda PD. E keni vënë re?, në radhët e partisë së vetme në pushtet-PS,  ka paqe, një paqe e amëshueme, as gjethja nuk lëviz. Për ata që dinë të ‘lexojnë’ kjo është e qartë se ‘tërmeti’ më i madh po vjen për palën që ka vetëm paqë. Çuditëm pse në një popull të rrahur nga diktatura komuniste për gjysmë shekulli, ka shumë pak njerëz që mund të lexojnë rrënimin e Partisë në paqe…

Por sidoqoftë, Partia Demokratike po pëlcet nga brenda… “Po pëlcet!”, them. As unë nuk jam i saktë, sepse brenda PD-së nuk ka çfarë pëlcet më; partia dhe lidershipi kanë prekur fundin. Por akoma më mirë në sensin e leximit të ‘paqes’ dhe ‘luftës’; se përderisa PD ka marrë fund, do të thotë se edhe lufta brenda saj po shkon në fund… Kur të fillojë lufta në palën tjetër, që tani ka gjithë pushtetin, atëherë ç’do të shohim, aq sa ‘nuk kemi parë gjë akoma’.

Të dyja partitë duhet të ‘pëlcasin’ nga brenda; dhe kjo do të ndodhë. Sepse të dy partitë janë njësoj: parti të vjetra, parti nomenklaturash, parti të skaduara që nuk mund të besohen për asgjë, që nuk mund të prodhojnë asgjë të re… Të dyja kanë mbërritur te fundi, paçka se njëra prej tyre mbahet te forca e pushtetit.

Po pse po pëlcet nga brenda PD?

Arsyeja e parë, më e përgjithshme, është se kjo është një parti e krijuar në dinamikë, në momente kur ndodhnin përmbysje të mëdha politike në Shqipëri, vitet ’90. Sado që këta që janë – janë thuajse hrushovianë, ose edhe ‘laikë’ politik; megjithatë dinamizmi nuk është fshirë komplet nga ADN e saj.

Por fakti që PD ditët e fundit ka ‘kapur’ fundin e pusit në fjalorin e përdorur brenda përbrenda, dëshmon se nuk ka ku shkon më. Disa vëzhgues e kanë konsideruar këtë si pragu i lindjes së “një partie të re”, por janë të cekët. Dje dhe sot, kryetari i PD i ka akuzuar kritikët e tij brenda në parti se ‘punojnë me kriminelë’. Kaq u desh dhe polemika shkoi te fjala e fundit. Këta iu kthyen kryetarit  dhe i numëruan tenderët, vjedhjet, gënjeshtrat, vjehrrin dhe kunatin me biznese…; dmth., shpërthimi brenda PD u krye për arsye jo politike dhe nuk ka më kthim mbrapa… Nuk ka shumë rëndësi se si, por në këtë parti po ndodh ‘plasja’ nga brenda.

Më mirë do të ishte të ndodhte me më shumë dinjitet, por fundi i partive tradicionale, të vjetra, demagogjike…, ka ardhur. Në gjithë Europën po vërshon kjo erë; në Itali mbërriti të dielën e kaluar dhe nuk ka se si të mos vijë këtu… Në Europë kanë ndodhur dhe po ndodhin shpërthime të mëdha, u tjetërsua panorama politike në kombe të mëdha si Franca, Britania, Gjermania, Italia… E si mund të mos mbërrijë këtu?! Klarkët që qëndrojnë në krye të dy partive tona e kanë gabim kriminal që mendojnë të rrinë në krye kundër kësaj rryme.

PD, pas saj edhe PS,  nuk ka asnjë shpëtim, do të ndodhë  që do të ‘shpërthejnë’ nga brenda, ose këtë mision do ta luajë nga jashtë elektorati që do t’i lërë në fund të arës. Sepse kështu po ndodh rreth nesh: Partitë e vjetra nuk janë në gjendje të bëjnë rinovimin e ofertës politike; atëherë pse i duhen elektoratit.

Shikoni çfarë ndodh këtu: PS u plak për vdekje gjatë mandatit të parë në pushtet dhe mandatin e  dytë nuk u ngrit dot as në paterica për të bërë ndonjë ofertë. Partia fitoi ‘timonin’ pa program. Edhe në anën tjetër:  PD llomotit gjithë ditën e nuk thotë gjë… Pse? Sepse partitë e vjetra nuk kanë ofertë politike.

Këto janë arsyet pse ‘plasin’ nga brenda, fillimisht PD e pastaj PS. Disa ‘vëzhgues’ i lexojnë si grindje personale ose grindje për pushtet, ose grindje ala- modë… Jo, nuk është kështu. E vërteta është se si ata që kanë pushtetin e PD edhe kundërshtarët- asnjëra palë nuk ka ofertë të re politike…

Po a do të ketë parti të reja?

A erdhën parti të reja në Itali?… Sigurisht. A erdhën në Francë?… Macroni këtë hapësirë shfrytëzoi… A erdhi  në Gjermani? AfD, 3 vjeçare, po i trondit nga themelet partitë 70 vjeçare…

Gjithë Europa është vënë në rrugën e ndryshimit ‘anti-sistem’. Por ‘plasjen’ e sistemit nuk e bëjnë dot partitë ‘sistem’ si këto që kemi këtu… Një popull i tërë nuk mund të jetë kaq i humbur sa të mos pranojë ndryshimin njësoj si në Europë…

Veritas.com.al/