Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit në SPAK këtë të premte.

Pasi doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme, Tahiri tha se kishte dhënë deklarime për çështjen e 21 Janarit, të rihapur së fundmi.

“Dhashë deklarime për 21 Janarin, si protestues, por edhe si kallëzues”, u shpreh Tahiri shkurt për gazetarët.

Në lidhje me çështjen ndaj tij në Gjykatën e Lartë Tahiri tha: “Pres pafajësi”.

Një ditë më parë, për të njëjtën çështje, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion mori në pyetje deputetin e Partisë Socialiste Xhemal Qefalia.

Më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues të opozitës në bulevard dhe jashtë rrethimit të Kryeministrisë.

Të pandehur kanë qenë gardisti Agim Llupo, për vrasjen e Ziver Veizit, dhe Hekuran Dedës, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës.

Pa zbardhur dhe në proces hetimi është vrasja e Aleks Nikës, teksa një prej viktimave ishte edhe Faik Myrtaj.

Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK.