Nga Frrok Çupi/
Dje u vra Ardian Kodra. Askush nuk do t’ia kishte njohur emrin në publik, sikur të mos e vriste një “i çmendur”. Ardiani ishte oficer i Policisë, madje i një krahu më special të Policisë që është emërtuar RENEA. U vra dje në fshatin Torovicë (mes Shkodrës e Lezhës) në një përpjekje me armë kundër një njeriu të vetëm, i ngujuar në shtëpinë e tij me armë në dorë. Ardiani mori një plumb fatal dhe nuk mundi të jetojë.
Lajmi u përhap shumë shpejt; më shpejt se vetë era që fryn legjendarisht në këto zona. Më duket se mediat që e sollën lajmin në Tiranë, dhe pastaj e përhapën kudo në botë, Ardianin dhe atë tjetrin vrasës, i kishin vënë në një peshore. Edhe ai tjetri kishte një emër, që në fillim të lajmit, emër që u mësua nga të gjithë dhe nuk dua ta përmend më nga neveria. Mirëpo ai tjetri, vrasësi, që në fillim të lajmit kishte edhe një atribut më shumë: Ai ishte “i çmendur”. Sapo u vra Ardian Kodra, oficer policie, u tha se “e vrau një i çmendur!”.
Kjo është tragjedi mbi një tragjedi. Tragjedia e shtresës është ajo e vrasjes së Ardianit. Ndërsa më e madhe parashikohet tragjedia kur bashkë me lajmin e kobshëm thuhet se “vrasësi është i çmendur”. Pas kësaj, ky njeri “i çmendur”, do të dalë nga burgu dhe do të vrasë të tjerë policë ose do të terrorizojë civilët e paarmatosur, fëmijë a të rritur, hallexhinj apo funksionarë shteti. Do të dalë nga burgu dhe do të “kositë”; jetë njerëzish pikërisht pse është “i çmendur”. Vetë lajmi ia ka dhënë këtë të drejtë, përderisa që në sekondën e parë e shpalli “të pafajshëm”, dmth., “të çmendur”.
Të gjithë “të çmendurit” po marrin të drejtën të bëjnë kërdinë mbi njerëzimin dhe mbi jetën. E di cila është e drejta e tyre? Pse janë “të çmendur”. Kjo nis që nga një vrasës në Torovicë dhe deri në zyrat e qeverisë e të shtetit. Një deputet është “i çmendur”, prandaj mund të bëjë gjithçka. Kryeministri “është kokëderr”, deklaroi ish- kryeministri Majko para pak kohe, prandaj “lëre të bëjë ç’të dojë”, ky është morali. Para tre muajsh qeveria urdhëroi shpenzime të mëdha për sheshin “Italia” në Tiranë; e ndërtoi parkingun e tani e prishi për të ndërtuar stadiumin; shkuan në lumë paratë e popullit që “nuk është i çmendur, por lëre të çmendurin të bëjë çfarë të dojë”. Para një viti autostrada Tiranë-Durrës u mboll me palma. Kushtojnë jashtëzakonisht shumë- u tha- nga buxheti i shtetit. Dje Qeveria përhapi lajmin se “palmat do të hiqen e do të zgjerohet rruga”… Këta mund të “lirohen prapë”, të bëjnë dëme të mëdha e të mos pësojnë gjë, sepse i çmenduri nuk dënohet…
… Po kush i përhap këto lajme për “të çmendurin”? Veç shteti mund të jetë kaq i fuqishëm dhe i guximshëm, askush tjetër. Po të thuash për median, kjo nuk guxon të shkelë kaq keq mbi vete me mendjen e vet. Po si, pra?
Po mendohesha për rastin e djeshëm, me vrasjen e Ardian Kolës. Akoma pa dal plumbi nga arma e “të çmendurit” të Torovicës, doli lajmi se “një i çmendur” e bëri. Fillimisht lajmin “tragjik” e përhapen disa media që janë pozicionuar si kritike ndaj qeverisë. Kjo është akoma më keq, njësoj si me të papriturën “çmenduri”. Qeveria ka mësuar që të bëjë edhe lajmin, edhe opinionin në mediat që shërbejnë. Por tani shërbejnë edhe ato që janë “kundër”. Qeveria ka penetruar edhe këtu; sepse këtu lajmi “besohet”.
Cilat janë provat se vrasësi, teksa shtinte me armë automatike, u provua se është “i çmendur”. Qeveria, e cila me siguri përhapi lajmin nën këtë veshje, nuk mban asnjë përgjegjësi; “nuk e thashë unë, media e tha!”. Në media, e keqja më e vogël, janë disa njerëz të paditur dhe të pa ushqyer mirë, që “e hanë” siç e sjell qeveria. Këtu “guri bie në lumë” dhe askush nuk e nxjerr më; krimi i Torovicës ku u vra një oficer policie, ikën në det.
Ku janë provat?… Hahahahaa! Kur bëj këtë pyetje më duket se harroj çfarë po ndodh praktikisht me këtë shtet ku të çmendurit dhe të papërgjegjshmit ndodhen në majë dhe iu fryjnë lajmeve që nga Torovica, që nga stadiumi, që nga fushat me drogë, që nga shitja dhe blerja e votës, që nga Dibra ose Kavaja, kudo ku ka njerëz. Ku janë provat?… Për prova nuk ka nevojë. Me sa shikoj po hyjmë thellë në një epokë ku nuk kërkohen më prova se si vritet njeriu, si qeveriset vendi, si të grabit deri në kockë qeveria, si varfërohen njerëzit, si lideri bën ç’t’i dojë qejfi pa pyetur as njeri as provë. Në anën tjetër, ti dhe unë, dhe ne të gjithë, mund të dënohemi pa asnjë provë. Kush i kërkon provat?, ti, unë, ai? Çfarë jemi ne, ne që quhemi “të gjithë”?! Provën ta gatuan ai tjetri dhe ta përhap në ajër e të quan “i çmendur”.
Ja kështu ndodh. Se mos vallë do të kërkojë më shumë hetuesi, prokurori ose gjykatësi?! Se mos do të kërkojnë të zbulojnë nëse vrasësi i Torovicës është “i çmendur” apo jo. Ai del i çmendur për sot e 400 vjet. Nuk e shikoni, pushteti i të drejtës është i rrethuar nga dy pushtetet e dhunshme: Qeveria dhe Media…
Pa le të provosh të mendosh më qartë: Se ai vrasësi po bënte një punë në favor të qeverisë, një punë droge a pisllëku tjetër! Fajtori mbetet polici i vrarë; ai ç’donte? (!). Por punë që rregullohet, o “miku ynë vrasës”, ti je “i çmendur!”. Në rregull jemi?, u lamë?.