Kryetari i Opozitës, Basha, sot gjatë kohës që ndodhej në “Çadrën e Liriisë”- siç e kanë quajtur protestuesit vendqëndrimin e tyre, ka deklaruar se “në qoftë se këta duan lutë, ne luftë japim”. Dhe pastaj ka shtuar që nëse provokohet qytetaria, të “thyhen xhamat, të shpohen gomat e makinave dhe të nxirren nga zyrat…”.
Pas kësaj janë shtuar masat e sigurisë rreth selisë së qeverisë. Automjete të policisë dhe FNSH-së janë stacionuar në rrugët përreth Kryeministrisë, ndërsa në rrugë vihen re më shumë forca policie. Edhe rreth ministrive ka shtesë të masave të Sigurisë. Miqtë majtistë të qeverisë në botë janë thërritur për të dhënë deklarata kundër protestuesve.
“Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat, atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë. Kush luan me popullin t’i bëjë llogaritë mirë, se ndryshe vala popullore do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli nuk mund të durojë më. Durimit të popullit i ka ardhur fundi, edhe durimit tonë. Boll me akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të biznesit, por vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të rritet. Kur ju godasin, mos ktheni faqen tjetër, por goditini me grusht. Për çdo padrejtësi goditini me grusht, koha kur populli trajtohet si dele po merr fund”, tha Basha sot në ditën e shtatë të protestës.
/Veritas.com.al/