Nga Frrok Çupi/

Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë:

Në Durrës u zbuluan dy varre antike, ose të paktën të periudhës së para- Mesjetës. Por u zbuluan në pjesën ku qeveria ka vendosur ta betojë përjetë, për të ndërtuar një mbulesë betoni që do të quhet Valeria; ose vello e përjetshme e Harrimit.

Po sot, në qytetin bregdetar të Vlorës, kryeministri Rama shkoi me ë vetmin qëllim: Që të zbulojë dhimbjen për mbi 105 të “varrosur” në fund të detit të Otrantos në mars të vitit 1997.

Në të dy rastet nuk ka arkeologji, por politikë varresh.

Në rastin e Durrësit antik, qeveria ka Zero interes. Madje ka një xhelozi të pashoqe me dëshmitë historike të Antikitetit dhe të periudhës së Mesjetës. Sikur të mos ishin zbuluar ato dëshmi, qeveria do të ndërtonte “për qejf” kudo ku t’ia donte zemra, edhe në fushën e stadiumit romak, edhe mbi gërmadhat e qytetit antik të Epidamnos. Mirëpo fati i keq i qeverisë është se para tyre, shumë arkeologë e historianë, kanë zbuluar vlerat e rralla qytetëse të Epidamnon antik dhe të periudhës së Romës e të Bizantit. Shqiptarët, në përgjithësi, bëjnë si të dashuruar me historinë, por ndërkohë lejojnë qeverinë që të ndërtojë mbi dëshmitë e historisë së qytetit të Durrësit që është dëshmuar që nga shekulli 6 para Erës së Re.

Por sidoqoftë, asgjë nuk e ka penguar qeverinë që të ndërtojë mbi dëshmitë historike qytetëse të banorëve shqiptarë në trojet e veta. Një “ombrellë” betoni e sajuar nga dy kryetarët: i Bashkisë dhe i Qeverisë, e sajuar mbi  pjesën “zemër” të historisë sonë Antike, po e mbulon me beton.

Varret e Durrësit po mbulohen.

Varret e Vlorës po hapen.

Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Vlorë- edhe ky qytet bregdetar, dhe ka nisur gërmimin e varrit të madh në fund të detit të Otrantos ku u mbytën 105 njerëz që po tentonin të linin atdheun dhe të kërkonin një jetë më të mirë në Europë. Kjo ka ndodhur para 20 vjetësh. Që atëherë, përsëri  tani Shqipëria është renditur në vendin e dytë mes vendeve emigruese në botë, me më shumë azilkërkues në dyert e Europës. Kryeministri duket se nuk është “arkeolog” i mirë, sepse duke rrëmuar varrin e detit të vitit 1997, jep argument politik që secili bën krahasim me emigrimin në masë të shqiptarëve kohët e fundit. Krahasimi është i drejtpërdrejtë:

Në vitin 1997 Shqipëria ndodhej thuajse në luftë dhe njerëzit merrnin rrugët symbyllur për në Europë. Sot, Siria është në luftë; por shqiptarët renditen krahas Sirisë që marrin rrugët me symbyllur për në Europë.

Edhe qëllimi i mbylljes e i hapjes së varreve, në të njëjtën ditë, është thuajse paralel:

Qeveria majtiste e Rilindjes i hap varret e  Vlorës, me qëllim që të prekë njerëzit kundër kundërshtarit politik (PD) djathtiste. Me këta njerëz që do të vajtojnë para kryeministrit për humbjen e të afërmve para 20 vjetësh, ai përpiqet të mbledhë vota për zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa me mijëra që po largohen nga Shqipëria nën qeverisjen majtiste të rilindjes, përsëri po tenton të “djegë” vota kundër vetes. Ata që ikin janë kundërshtarë të qeverisë dhe qeveria bën politikën: “Sa më shumë ikni!, Ikni!, Ikni”.

Por tani kanë viza për në BE dhe nuk mbytën në det- ky është favori i qeverisë.

Edhe me mbylljen e varreve në Durrës, qeveria ka të njëjtin sistem të të menduari: Varret antike dhe Mesjetare nuk i ka bërë “Saliu”; ato nuk prodhojnë vota. Mund të mbyllen- përsa i përket votave. Por vend- varrimet prodhojnë para, para pa fund. Me to mund të blihen vota! Prandaj edhe sikur t’i mbyllet goja përjetë Epidamnos-it, Teutës së Ilirëve, Cezarit të Romës,  Normanëve dhe vetë Robert Guiscard-it … e ça pastaj!? Ç’na duhen ata- sipas qeverisë.

Aëherë “i mbyllim!”. Varret e  mbyllur të Lashtësisë sonë  nuk mund të flasin më kurrë, ndërsa ata që duhet të flasin janë “Varret Politike”.

/Veritas.com.al/