Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu doli në një deklarate mbi vendimin e Qeverisë për ndalimin e hapjes se klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

 Kështu me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:

– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.
– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Deklarata:

Siç ju kemi informuar në mënyrë të përditshme, Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të shifrave të të infektuarve nga Covid-19. 123 pacientë janë duke u trajtuar aktualisht në dy spitalet Covid, dhe 112 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje, edhe pas përpjekjeve të jashtëzakonshme të stafeve tona mjekësore.

Kjo situatë që po kalojmë kërkon zbatimin rigoroz të rregullave dhe protokolleve të sigurisë. Çdo neglizhencë apo mos respektim i masave, cënon shëndetin e të gjithëve. Virusi nuk bën përzgjedhje. Ai prek çdo moshë, dhe përhapet me shpejtësi, atje ku njerëzit e lejojnë.

Ndërsa vihet re në javën e fundit, një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto.

Kemi konstatuar që në këtë periudhë, ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.

Të rinjtë dhe personat që frekuentojnë këto mjedise, në kushte të papranueshme për një kohë Pandemie, bëhen kështu në bartës të virusit, në dëm të të afërmve dhe më të moshuarve.

Qeveria Shqiptare ka vendosur që nga sot, t’i thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh.

E kemi thënë dhe nuk do të lodhemi së përsërituri: Prioriteti ynë Nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme.

Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:

– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.
– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se e gjithë bota është në një moment pandemie.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se për të mbrojtur shëndetin, duhet që gjithësecili të bëjë pjesën e vet, dhe gjithësecili të marrë përgjegjësi për veten dhe tjetrin.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se Normalja e Re kërkon edhe sakrifica, me qëllim që nesër, askush të mos pendohet për pasoja, që mund t’i kishte parandaluar thjesht përmes një sjellje më të përgjegjshme.

Çdo shtet dhe autoritet kudo në botë, ka kuptuar nga eksperienca disa mujore e luftës me virusin, se suksesi varet nga ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bashkëpunimi i tyre me autoritetet e shëndetit. Dhe kudo, autoritet po u bëjnë thirrje qytetarëve, që në këtë luftë që do të zgjasë, të bëhen palë me autoritetet dhe jo me virusin.

Çdo shtet dhe institucion kudo në botë është duke përshtatur ditë pas dite masat, për frenimin e një pandemie, e cila do ta ketë fundin me gjetjen e kurës dhe prodhimin e vaksinës. Deri atëherë, të gjithë bashkë, do të duhet ta përballojmë normalitetin e ri me zbatimin rigoroz të masave të distancimit social, higjenës vetiake, përdorimit të maskës, dhe çdo lloj mase tjetër që autoritetet shëndetësore rekomandojnë për mbrojtjen e shëndetit tuaj”.