Nga: Enkel Demi
Damian Gjiknuri e dha një tjetër Partneritet Publik Privat për ndërtimin e rrugës Orikum – Llogara me vlerë 130 milionë euro. S’ka gajle që FMN ka muaj që kërkon ndalimin e PPP-ve, qeveria që mban në bark Damianin ecën përpara nga “fitorja në fitorje”.
Teksa Edi Rama vazhdon i bindur në shtegun e tij konçesionar, arka e shtetit boshatiset dhe shpesh kjo qeveri duhet të kërkojë burime alternative për të paguar pagat a faturat mujore që ka çdo shtet. Në fund të vitit vonoi rrogat e mësuesëve gati një muaj. Këtu hyn në lojë gjeniu i financave anglishtfolëse, Arben Ahmetaj. Meqë paratë shkojnë lumë nga thesari i tij në drejtim të familjarëve apo klientëve të qeverisë, Arbeni paguhet, madje si frëngu pulën, për të shpikur udhë të reja që shtrëngojnë fort litarin në fyt. Të fundit që shpiku kjo mendje pjellore e lyer me këna, ishte haraçi që duhet të paguajnë të dypunësuarit. E thënë thjeshtë, ata që bëjnë dy ose më shumë punë, do jua mbledhim pagat në një dhe do të paguajnë si gjithë pagat e mëdha, 23 për qind.
Por, cilët janë ata që punojnë në dy vende? Është një pakicë që ka vendosur të jetojë ndershëm me djersën e ballit, përndryshe shtresa e mesme që sa më shumë na udhëheq Edi Rama me të tijtë, aq më shumë tretet si kripa në ujë. Këta janë njerëz, të cilët kanë vendosur të grabisin vetëm një gjë në këtë botë, vjedhin kohën e tyre. Nuk punojnë 7 ose 8 orë, por 12 deri në 14 orë në ditë. E bëjnë këtë, sepse me siguri kanë marrë një kredi për shtëpi apo një makinë dhe duhet të paguajnë këstet, faturat mujore të shtëpisë, që t’u mbetet një gram dhjamë sa për 10 ditë pushime aty afër rrugës Orikum – Llogara. Këta, ndryshe nga Arbeni i qeverisë, kur nuk u del të paguajnë faturën e dritave dhe të ujit që ka rritur zotëria i shampos “kokëziu” (Schwarzkopf), nuk vjedhin fqinjin, por shtojnë orët e punës. Sak këta do të rëndojë edhe më shumë qeveria jonë. Arsyeja? Që të paguajmë pasunarët e rinj të familjes apo klientelës, godasim shtresën e mesme. Me të njëjtën logjikë u vendos TVSH-ja për biznesin e vogël, sepse për hir të “konkurencës së ndershme” e kërkuan pasunarët e rinj, të cilët i quajmë me përkëdheli “oligarkë”.
Kështu, po ndiqet një politikë genocidiste ndaj atyre që kanë vendosur ta çajnë ndershëm rrugën e jetës dhe paret që do mbledhim prej tyre ua japim pasunarëve, të cilët nuk dihet si e kanë bërë gjithë atë katandi. Sa më shumë varfërohen ata që punojnë, aq më shumë pasurohen pasunarët e së majtës rilindase të Benit.
Kjo do të thotë që shtresës mesme i lihen vetëm dy rrugëzgjidhje. E para dhe më e lehta; e fton edhe këtë shtresë të kriminalizohet që t’ia dalë mbanë. Pra, sa punon kot dy-tre punë, të marrë thesin në krah dhe ta çojë aty ku duhet. Për këtë, doracaku me udhëzime të vjen drejt e nga Ministria e Brendshme e së njëjtës qeveri. E dyta dhe më e vështira; shtresa e mesme të prishë ekuilibrat dhe të rrëzojë qeverinë. Kjo ndodh përherë në botën perëndimore, sa herë preket xhepi i shtresës së mesme, e cila konsiderohet jetike për shoqërinë e sotme. Ajo është gjeneratori i zhvillimit dhe mbarsja e moralit të progresit. Pikërisht, këtë godet qeveria e Edi Ramës dhe e atyre ministrave kaq të fuqishëm, të cilëve u duken qytetarët miza dheu.
Derisa shtresa e mesme të kërkojë dhe gjejë udhën e saj këta do të shtrëngojnë litarin, kurse dikush do të vdesë nga astma. Ai që e vuan këtë sëmundje e di shumë mirë se çfarë krizash tmerrshme ka.
Veritas.com.al/