Pak pas mesnate në kryeqytet është ndarë nga jeta kryetari i “Shoqatës Tirana”, Arben Tafaj. Ai është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, ndërsa policia bën me dije se Tafaj ka rënë nga lartësia nga banesa e tij në Rrugën e Dajtit.

“Më datë 03.12.2024, rreth orës 00:40, në Rrugën e Dajtit, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, aksidentalisht është rrëzuar nga një lartësi rreth 10 metra, në banesën e tij, shtetasi A. T., 63 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital”, sqarojnë uniformat blu.

Në profilin e Arben Tafajt në rrjetet sociale, familjarët kanë publikuar një njoftim ku konfirmojnë ndarjen e tij nga jeta.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të politikanit, drejtuesit, shembullit të qytetarisë, babain dhe vëllain shembullor, Kryetarit te Shoqatës Tirana, Z. Arben Tafaj! Qoftë i paharruar kujtimi i tij! Përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e Mërkurë më datë 4 Dhjetor, ora 11:00”, thuhet në këtë postim.

Sakaq, për ndarjen nga jeta të Tafajt ka reaguar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.

“Me hidhërim të thellë mora vesh lajmin për ndarjen para kohe nga jeta të mikut, qytetarit, bashkëpunëtorit dhe aktivistit të palodhur për Tiranën tonë, z. Arben Tafaj. Arben Tafaj bëri kaq shumë për qytetin, kontribuoi për vlerat më të mira që ne të gjithë aspirojmë e luftojmë për to”, shkruan Këlliçi në një postim në Facebook.

Ai më tej shprehet se Arben Tafaj si kryetar i “Shoqatës Tirana”, punoi pa u lodhur për të ruajtur trashëgiminë, shpirtin e qytetit e autenticitetin tiranas.

“Si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë ai ishte një përfaqësues i palodhur i qytetarëve dhe një derë e hapur për këdo që kishte një shqetësim. Pa Arbenin, Tirana është sot më e varfër, me një referencë që do të na mungojë të gjithëve”, shprehet Këlliçi.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, reagoi për ndarjen e Tafajt nga jeta.

“I hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” dhe një nga zërat më të zëshëm për komunitetin tonë, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën. ????️

Ikja e Arbenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë qytetin e Tiranës. Ngushëllime të sinqerta familjes Tafaj dhe të afërmve të tij”, shkruan Veliaj.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *