Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Selami ka akuzuar sërish kreun e PD-së, Lulzim Basha duke u shprehur se lidershipi i së djathtës nuk ngjall shpresë dhe besim. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Selami tha se “lidershipi i ri aktual i PD-së më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të PD-së që duan ta shikojnë dhe njëherë Partinë Demokratike si partinë e shpresës për shqiptarët”.Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër që deputeti Selami artikulon deklarata kundër Kreut të PD-së Basha. Tre javë më parë Selami do të shprehej se nuk duhet të ketë histori për të rinj dhe për të vjetër, një deklaratë direkte kjo dhe aktuale për problematikën e brendshme të Partisë Demokratike, ku në fakt ka krisje të thellë brezash.
“Fatkeqësisht nuk kemi arritur që të ngjallim shpresë. Lidershipi i sotëm i opozitës, i Partisë Demokratike nuk ngjall shpresë. Megjithëse u premtuan vendet e punës, shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, me mijëra me dhjetëra mijëra. U premtua arsimi, është më dobët se kurrë. Të gjitha premtimet nuk janë mbajtur. Është një nga qeverisjet më të këqija. Por fatkeqësisht lidershipi aktual i Partisë Demokratike nuk ngjall shpresë dhe besim.”- deklaroi Selami për “Zërin e Amerikës”.