Kryeministri Edi Rama është ndalur për një takim elektoral me mbështetësit e Partisë Socialiste në Rrëshen, për të kërkuar votën në zgjedhjet e 14 majit për Ndrec Dedaj.
Rama u ka bërë thirrje demokratëve që edhe pse nuk e duan PS-në, të votojnë Dedajn sepse duke mbështetur çiftin Meta-Berisha turpërojnë Shqipërinë dhe dalin kundër Amerikës.
“Ne jemi ata që ishim, një vend i vogël me problemet e veta, që forcohet çdo ditë, që ka shumë akoma për të bërë, por një vend që i kemi bërë vend vetes dhe ku në çdo tryezë ulemi si të barabartë, trajtohemi si të barabartë.
Tani më falni, po kur këta miq të mëdhenj që na i hoqën nga duart e na i hoqën nga sytë për gjysmë shekulli kur na mbyllën brenda të gjithëve në një bunker të madh dhe këta miq, këta aleatë të mëdhenj, Amerika në radhë të parë që ka qenë ylli polar i të gjithë atyre në Mirditë që i kanë thënë vetes patriot dhe anti komunist, që janë paraardhësit e atyre që këtu në Mirditë sot i thonë vetes të djathtë. Pra kur këta na i bëjnë me shkrim, jo mua, s’ma bëjnë mua, nuk ia bëjnë as atij gërdallës, ia bëjnë shqiptarëve të gjithëve se po të ishte puna për një person s’kishim pse e bënim me shkrim. Sa njerëz dënohen, sa njerëz ndëshkohen, sa njerëz ekstradohen, sa njerëz përjashtohen nga mundësia për të kapërcyer pragun e Amerikës, por kur e bëjnë me shkrim, e thonë me zë, dalin me figurë dhe e përsërisin që ky individ që ju e keni pasur në krye me vite dhe që vjen vërdallë akoma dhe kërkon votën tuaj është i padëshirueshëm për ne ose shqip: nuk e shohim dot me sy prandaj na i hiqni nga sytë, dhe këta të djathtët të vazhdojnë e t’i shkojnë mbrapa e të vazhdojnë e të thotë do ta votojmë, e të nisen në 14 maj e të dalin nga shtëpia e të shkojnë te qendra e votimit, e të futen në radhe e të mbajnë radhën e kur tu vijë fleta e votimit aty të shënojnë me laps “Bashkë fitojmë me Like Floririn”, këta nuk janë të djathtë, këta nuk kanë lidhje me të djathtën dhe më e keqja akoma, këta s’kanë lidhje fare me ata stërgjyshërit e gjyshërit që u sakatuan, u pushkatuan, u burgosën, u syrgjynosën nga komunizmi pikërisht sepse donin perëndimin. Se për çfarë ishin kundër ata? Ku ishte kundërshtia e atyre që i pati halë në sy komunizmi këtu në Mirditë. Kundërshtia ishte se nuk donin me Moskën, donin me Perëndimin, donin me Amerikën dhe ata sot nuk jetojnë më, janë nderi i Mirditës, i historisë së saj për qëndrimet dhe për rezistencën e tyre. Përjashtoj këtu kë ka bashkëpunuar drejtpërdrejtë me fashizmin kuptohet, po flas për nacionalistët dhe ata do rrotullohen 7 herë në varr kur t’iu shkojë fjala që ata stërnipërit e stërmbesat, apo nipërit dhe mbesat e tyre kanë vajtur dhe votën e lirë për të cilën ata u vranë e kanë përdorur për Like Floririn dhe e kanë përdorur për SaLiken që është një individ i padëshirueshëm për SHBA dhe për BE, se BE nuk e ka mekanizmin ashtu, por derën ia ka mbyllur dhe nuk ka shans të takojë asnjeri, e keni parë të takojë njeri? I takon njeri këta?
Tani kur e gjithë bota thotë “o njerëz, jemi bashkë, ju kemi marrë në radhët tona, ju mbështesim, duam të bëheni më të fortë këtu në Ballkan, duam të bëheni më të pasur, duam që të ecni përpara, por na i hiqni këtë se nuk mund ta pranojmë dhe këtë këtu bashkë me ju”. Ne çfarë i themi? Jo? Ne nuk e duam makinën që na jepni ju për të shkuar përpara se kemi gomarin tonë e pa gomarin ne nuk hipim në makinë. A jeni në vete apo jo? A janë në vete këta? Po kjo s’ka lidhje fare me PS, unë nuk i them atyre hajde votoni PS, unë iu them atyre mos turpëroni Shqipërinë sepse në 14 maj do votohet dhe pastaj aleatët dhe miqtë tanë nuk do numërojnë votat e PS se nuk iu intereson kjo, do shohin sa shqiptarë nuk na kuptojnë akoma ne?! Dhe nëse shohin që janë shumë, janë shumë nuk do të thotë shumicë të kuptohemi, se shumica nuk kanë qenë as kur ishin grata jo tani që janë non grata, atëherë do thonë çfarë nuk shkon me këta, si nuk mbushin këta? E çfarë t’i themi ne? Jo po ishte një çun i mirë atje në Mirditë që doli e tha hajde se po e marr unë një herë bashkinë? Çfarë çunash të mirë janë këta? Për çfarë i duhen këta Mirditës dhe Shqipërisë? Këta janë njerëz pa gjykim! Këta nuk e kanë fare sistemin këtu që i funksionon dhe i çon informacionin që si është situata.
Kështu që, unë i bëj thirrje të gjithë atyre të djathtëve, që nëse nuk duan Partinë Socialiste, mirë bëjnë se po ta duan të gjithë Partinë Socialiste nuk janë mirë punët atëherë. Ca do ta duan, ca s’do ta duan. Nuk duan mua të më shohin me sy? S’ka asnjë problem, telekomandën në dorë e kanë, me një sustë me pushkatojnë direkt, më asgjësojnë, nuk i dal më përpara. Nuk duan të votojnë prapë për Ndrecën?
Gabim e kanë, por të dalin nga shtëpia e të nisen për të votuar Liken këtu? E për të turpëruar historinë e Mirditës. Se juve nuk e di a e dini, se mua më thonë nuk e do veriun dhe nuk i do veriorët”- tha Rama.