Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, do të mbajnë sot, 5 nëntor, një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e Kryeministrisë, në orën 11:00.

Konferenca vjen një ditë pasi Bashkimi Europian publikoi progres-raportin për vendin tonë, ku nënvizohej se Shqipëria ka ruajtur një linjë të qartë politike në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë mbështetjen për sanksionet ndaj Rusisë, një qëndrim që Brukseli e cilëson si dëshmi e besueshmërisë si vend partner…

Nga Brukseli, Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi në mënyrë të veçantë Shqipërinë për arritjet e bëra në kryerjen e detyrave për procesin e negociatave.

Edhe Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, tha se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë, duke shtuar se e shikon të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE deri në vitin 2030…

Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare, në fjalën e tij në Samitin e Zgjerimit të BE-së, më 4 nëntor 2025, u shpreh se Shqipëria po lufton korrupsionin dhe se reforma në drejtësi po godet zyrtarë të lartë të përfshirë në korrupsion, qoftë majtas apo djathtas.

Ai u shpreh se brenda vitit 2030, do të jemi në tryezën e Bashkimit Europian, falë reformave të thella që po ndodhin në vend.

“Viti 2030 nuk është një datë që e kam parë në ëndërr, por është objektiv, si rezultat i kalkulimeve të thjeshta që kemi bërë. Do arrijmë së bashku të jemi pjesë e familjes evropiane. Ne shpresojmë që Shqipëria të ulet në tryezën e vendeve të BE-së brenda 2030. Integrimi është një proces transparent dhe gjithçka bazohet në meritë. Ne jemi kombi më pro evropian dhe si mund të thoshte Trump, në mbarë globin“, u shpreh numri një i kabinetit…

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *