Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, sot në mesditë, e krahasoi protestën e opozitës me protestën e 21 janarit të 2011, ku mbetën të vrarë katër protestues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai tha se para tetë vitesh vriteshin qytetarë të pafajshëm dhe rriheshin masivisht protestuesit nga FNSH.
“Krahasimi me të shkuarën nuk vlen për të thënë shikoni se sa mirë dhe se sa me dinjitet sillet dhe punon sot Policia e Shtetit, sepse e shkuara na ka rezervuar kujtime shumë të rënda dhe që nuk kanë lidhje me asnjë standard dhe asnjë vlerë të funksionimit të një shteti në një rend demokratik. E quaj incident. Më detyron tu kujtoj se kjo godinë para pak kohësh, nuk u qëllua me asnjë guriçkë dhe jo më me bomba dhe me zjarr dhe nga kjo godinë u urdhërua vrasja e katër protestuesve të pafajshëm.
U urdhërua shkrehja e karikatorëve të kallashnikovëve mbi protestuesit, u plagosën mbi 40 persona me plumba vdekjeprurës dhe pastaj u turr edhe trupa e përdorur e FNSH dhe u fut deri tek kulla përballë duke masakruar kush i doli përpara. Mbi 130 persona të dëmtuar nga dhuna. Kemi mbajtur njerëz nëpër shtëpi, sepse ishin të trembur me të drejtë, sepse ishin të trembur që të shkonin në spital. Një person i përfshirë krejt palidhje në një asnjë dhunë, asokohe një pronar mediash ka shkuar jashtë vendit dhe është kuruar për brinj të thyera dhe shpatull të nxjerrë”-tha ai.
Veritas.com.al/