Debatet për votat nuk ishin të rastësishme. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka konfirmuar peripecitë e mbledhjes së votave të mjaftueshme për të miratuar Reformën Territoriale.
Nga Braçe, tek Sinaj e Spiropali, Rama flet për duar të pista, disa prej tyre të dukshme për publikun, dhe për të tjera të pazbuluara ende të cilat tentuan të sabotojnë Reformën.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë”.
Por ndërhyrja e tij, gjithsesi, sipas Ramës, ia vlejti për të mbajtur bashkë PS për një reformë territoriale e cila do të modernizojë Shqipërinë. Përtej debateve të brendshme, Rama kishte një mesazh edhe për opozitën apo jodashamirësit e PS, që vendosën në diskutim numrat e një mazhorance socialiste të votuar nga qytetarët.
“Votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese. U tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste”.
Gjatë javës, brenda grupit parlamentar të PS ka patur debate të forta për Reformën Territoriale. Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj fillimisht ishin kundër, kurse Spiropali dihet tashmë publikisht se pas shkarkimit si ministre e jashtme, i pëlqen më shumë vizioni i ri i flamingove se sa i Edi Ramës.
Por, rebelizmi i të treve ngelet vetëm tek fjalët, mesa duket kanë kuptuar se të rëndësishem janë vetëm në PS.
Komente