Kryeministri Edi Rama ka folur për shërbimet për qytetarët dhe biznesin gjatë ditës së sotme duke kujtuar ndryshimin e 7 viteve të fundit.

Rama ka kujtuar fjalët që merrnin në sportele njerëzit që qëndronin orë me radhë duke pritur për të paguar.

Rama: Sa shpesh ju është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit ku ju është thënë ik, hajde nesër, ik, s’kam mundësi sot, ik, ik, kthehu, kthehu. Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që ju takon me ligj e zakon t’ju vijë në dorë.

Mirë dritat vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje shkëputjeve të një kompanie të kthyer në makth për ju por edhe kur ju duhet të paguanit faturat afrofe jo sipas asaj që ju ishte caktuar, duhet të rrinit në radhë në rrugë, në shi, në diell për të paguar.

A ju kujtohet se në sa shumë raste, sidomos ata që kanë pasur shpesh nevojën për të marrë dokumenta, ju është dashur të kërkoni një mik, një emër, një mbiemër, një krushk, një fqinj për t’ju ardhur në dorë ajo copë letër. Këto ishin sportelet tuaja, kishte shteti ynë deri para 7 vitesh. Kjo ishte e gjithë cka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sportele të zymta ku një dorë zgjatej dhe tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumenta që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm.

Dhe sa shpejt ajo që ju zgjatej në dorë, ju shoqërohej me një zë që thoshte: “Ik plotësoje”. Natyrisht ka sot jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh ose thënë ndryshe, 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, është në xhepin tuaj.