Gazetari Muhamed Veliu: Një përgjigje në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se vajza juaj ka marrë shumë tendera publikë. Ai ka deklaruar se edhe kunati juaj është bërë përfitues vazhdimisht nga fondet publike

Kryeministri Edi Rama: Më vini në pozitë pak të vështirë, nuk jam i prirur të komentoj apo të përgjigjem akuzave të dikujt që është subjekt i listës së zezë të SHBA dhe Britanisë së Madhe për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë dhe subjekt i drejtësisë në Shqipëri.

Kurrë, në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes sime nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe jo vetëm kaq, por meqë po ma jepni këtë mundësi, dua ta mësojnë të gjithë. Edhe ata që mund të impresionohen nga akuza absurde për miliona euro të shpenzuara për fluturime, që unë dhe anëtarët e familjes sime udhëtojnë me mua. Udhëtoj në dy mënyra: në rastet e vizitave zyrtare apo  punës si Kryem, udhëtoj me avionin përkatës. Në të gjitha rastet e tjera, me avionët e linjave si gjithë shqiptarët, ekonomikë dhe me shpenzimet e mia dhe të familjes. Kur ka ndodhur të kem vizitë pune dhe bashkëshortja të më shoqërojë jo si pjesë e vizitës së punës, biletën e saj e kemi paguar vetë, nuk e ka paguar shteti.

E bëj këtë sqarim se dua të sjell një shembull si e kuptojmë ne në familjen tonë detyrën time.

Asnjë nga këto çështje dhe akuza, apo hedhje përpjetë të llumit, nuk shkon deri në fund kur mbetet midis çfarë thotë njëri dhe çfarë thotë tjetri. Duhet që njëri ta vërtetojë. Përpjekje e shëmtuar dhe e neveritshme që s’ka asnjë shans të fitojë.