Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kundërshtarët e tij politikë se nuk kanë të ardhme pas zgjedhjeve të datës 30 qershor.  I vendosur për të zhvilluar zgjedhje këtë të diel, Rama është shprehur se ka ardhur koha që e keqja të dalë, të shkelet, të refuzohet e të kalbëzohet.

“Në gjithë këtë histori dramatike, që të katandisemi në zgjedhje ku ka vetëm një kandidat në shumë zona, është trishtim. Është një dhimbje që duhet kaluar me vetëdijen që e keqja ka ardhur koha me dalë, ka ardhur koha të shkulet, të refuzohet e të kalbëzohet. Kjo është arsyeja themelore pse më 30 qershor vota ka rëndësi shumë të madhe. Ka ardhur koha t’u japim një goditje kundërshtarëve të Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Nga Vora, ku po përmbyll fushatën elektorale, kreu i qeverisë ka ironizuar dhe Presidentin Ilir Meta, i cili dekretoi sot 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh. Sipas tij, baba Xhikja, ndryshe nga Haxhi Qamili, e di vulën, por nuk di çfarë bën me dekretet.

“Është për të ardhur keq, por është fakt, është ngjallur Haxhi Qamili, ai tironsi i gabuar. Ai kishte një vulë e mbante me vete, shkruante greqisht kompani kafje eksport-import, por ai nuk e dinte fare çfarë shkruante e mbante vetëm për dekrete. Ky baba Xhikja, se s’duhet me i thënë më Likja, ky vulën e di çfarë shkruan, ndryshe nga Haxhiu, nuk di çfarë bën me dekretet. Ky di vulën, por nuk di dekretet”, është shprehur kryeministri.

Veritas.com.al