Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën në Kosovë pas takimit të zhvilluar mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me zëvendës kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviç të mërkurën në Bruksel.

Nëpërmjet Twitterit, Rama thekson se BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar sa më parë zbatimin e marrëveshjes bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shprehet se Kosova veriore nuk duhet të kthehet në një Donbas të vogël, ndaj duhet vepruar sa nuk është vonë.

“BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendase është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga kryengritjet e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë.”, shkruan Rama.