Kryeministri Edi Rama thotë se marrëveshja me Italinë për emigrantët, nuk shkel Kushtetutën e Shqipërisë.

Në një konferencë për mediat, Rama u shpreh se marrëveshja është pozitive për vendin tonë.

Ndër të tjera, Rama nënvizoi se për të nuk përbën problem nëse dikush i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë marrëveshje.

“Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike? Të cilës Parti Demokratike? Nuk më rezulton një parti e tillë mua në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë, nuk ka rëndësi se kush është mbledhur, se ka shumë mbledhje që zhvillohen dhe shumë deklarata që bëhen nga drejtime të ndryshme në emër të Partisë Demokratike, që vuan sot si një flamur i shpresës së madhe të shqiptarëve, dikur mallkimin e një historie të dhimbshme.

Nuk dua t’i shmangem thelbit. Është përgjegjësi, e drejtë, liri e çdokujt që e ka një status të  caktuar në lidhje me një çështje të caktuar, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nuk shoh asnjë problem. Marrëveshja është në rregull me Kushtetutën e Shqipërisë, është pozitive për 1001 arsye, por nuk ka asnjë problem nëse dikush i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë marrëveshje. Nuk ka problem”, theksoi Rama./