Nga L. Skiroi/
Me sa duket, mëngjesi i sotëm ka ardhur bashkë me disa zhvillime të reja në fushën më të rëndësishme të politikës, që është Reforma në Drejtësi. Sot, nga të gjitha lëvizjet e kryera, u dëshmua se kryeministri Edi Rama tashmë ndodhet i vetëm përballë detyrës më të rëndësishme që është Reforma në Drejtësi. Edhe aleati i tij kryesor, Ilir Meta, doli nga “rreshti” ku ndodhej. A deklaroi sot se “votoj vetëm një reformë, mjafton që kjo të jetë me konsensusin e palëve”.
Por tjetër është pikëpamja e Ilir Metës, dhe siç duket jo veç pikëpamje, por edhe vendim: të mos e votojë Reformën sipas idesë dhe qëllimit të kryeministrit Rama. Ideja e Ramës ishte që ta votonte Reformën, pavarësisht nga Opozita. “Do apo nuk do opozita, ne do të votojmë Reformën!”, kishte deklaruar Rama. Edhe dje, mbas negociatave me Ilir Metën dhe me ambasadorët e SHBA e BE, Rama deklaroi se “me opozitën kemi në mes një vijë të kuqe”. Njëri nga aleatët e vegjël të koalicionit qeveritar, Demokristiani Ndoka bëri ironi me këtë shprehje fataliste, duke i konsideruar liderët e Rilindjes si të papërgjegjshëm dhe përdorues narkotikësh. “Po të ishte vizë e bashë- shkroi ai- do ta kishin thithur, sepse janë të Rilindjes”.
Çështja mori të tatëpjetën. Vetë Edi Rama, teksa kërecënonte opozitën se “nuk ju pres më shumë”, kishte sigurinë te votat e Ilir Metës. Vetëm ashtu, madje edhe duke blerë disa deputetë, mund ta kalonte Reformën në Kuvend. Mirëpo sot në mëngjes, aleati kryesor, ra. Rama nuk mund ta luajë rolin e padronit të politikës pas kësaj. Mungesa e Ilir Metës në votim e shemb.
Ja pra, kështu mbeti i vetëm kryeministri Edi rama.
Ilir Meta prishi skemën e shpallur dje nga kryeministri Rama, sipas të cilit “kurrë mos u votoftë Reforma” në qoftëse nuk bëhet “ssiç them unë”. Meta tha se LSI është e hapur të votojë çdo reformë, mjafton që ajo të jetë me konsensus.
“LSI është gati të votojë edhe një reformë PS – PD, mjafton që ajo të jetë me konsensus”, u shpreh Meta në mbledhjen e kryesisë së LSI. Ky qëndrim i Metës vjen në një kohë kur kryeministri Rama ka vendosur një vijë të kuqe për opozitën: ajo nuk mund të kërkojë “vendet e rezervuara” për procesin e vetingut. “Përndryshe le të mos ketë reformë fare”, tha Rama.
Por edhe Basha u kundërpërgjigj në të njëjtën formë: “Me veting-un Rama kërkon të kapë sistemin e emërimeve në drejtësi. Nëse nuk i jep vendet e rezervuara edhe për dy institucionet e veting-ut le të mos ketë reformë”. Palët flasin për konsensus, por duket se konsensusi është tepër larg. Qëndrimi i Metës e bën të pamundur miratimin e reformës edhe me votat e trafikuara, siç ishte ideja e kryeministrit Rama dhe siç nënkuptonin deklaratat e fundit të ambasadës amerikane dhe BE -së.
Pa votat e LSI dhe të PD, miratimi i reformës është tërësisht i pamundur. Sipas opozitës, ka vetëm një mënyrë për ta miratuar reforëm me konsensus. “Ashtu siç pranoi vendet e rezervuara për KLGJ dhe KLP, Rama mund t’i pranojë edhe për veting-un, siç ka rekomanduar Komisioni i Venecias”, u shpreh dje Basha.