Eshtëadha e ministrave që të marrin mesazhin e kryeministrit Edi Rama se nëse do kishin abuzime me tenderat, ai vetë do i çojë në SPAK. 70% e tenderave të dhënë përgjatë periudhës 2020-2021 janë me probleme, tha Rama, por ajo që për të është një shqetësim më madhor është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Nisur nga kjo neglizhencë dhe mospërfillje, siç kreu i qeverisë i cilësoi, Rama u kërkoi ministrave, drejtorëve të institucioneve, por edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që të reflektojnë, që të mos kenë të njëjtin fat si Fatos Tushe- kryebashkiakut të Lushnjes tashmë të arrestuar nga SPAK.
“E patolerueshme që rekomandimet e Agjensisë së Prokurimeve Publike të mos kenë asnjë përgjigje. Çdo rast i tillë do shkojë në SPAK nga kjo godinë. Indiferentët përkatës këtë çështje ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, tha Rama ndër të tjera.
Me paketën e re ligjore, Rama tha se ministrat, janë po njësoj përgjegjës si titullarët e Bashkisë për procedurat e tenderit, ku përfshihet numri i pjesëmarrjeve, vlera e kursyer në paratë e buxhetit të shtetit, nënshkrimi i kontratave, realizimi i tyre në terren si edhe kufizimi i tenderëve me negocim pa shpallje, që janë edhe 5 prioritetet e paketës së re të Prokurimeve. Nëse do të ketë abuzimeve në këto pika, Rama ua bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim dhe se partia nuk do të jetë një mburojë për ta.
“Me ligjin e ri, titullarët e autoriteteve kontraktore janë përgjegjës direkt për menazhimin e fondeve dhe numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim dhe këtu ministritë kanë shembullin më domethënës të procesit, kjo tregon se ku ka vullnet, ka rezultat, edhe aty ku duket sikur janë të gjitha argumentet ku të duket që rezultati mos kërkohet sepse nuk arrihet”, tha Rama.
Ky takim i Ramës vjen pas super operacionit të SPAK që çoi në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, FAtos Tushe si edhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, mes tyre edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, për abuzime me tenderët që i kanë shkaktuat një dëm shtetit me miliona lekë.