LONDËR- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë vizitës në Londër dha një intervistë në studion e “Sky News Breakfast”, ndërsa u ndal në disa çështje, mes të cilave dhe emigrantët shqiptarë, që janë shigjetuar nga Sekretarja e Punëve të Brendshme Suella Braverman.

Shefi i qeverisë tha se marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë janë të thella, dhe për këtë kërkoi që komuniteti shqiptar që jeton në Britani të respektohet për vlerat që ka.

” Dëgjoni, sërish mendoj se e kam bërë shumë të qartë qëndrimin tim dhe nuk dua ta përsëris herë pas here, sepse nuk do të ishte e drejtë në raport me tablonë shumë më të gjerë e marrëdhëniet shumë më të thella midis Shqipërisë dhe Britanisë dhe, po ashtu, nuk do të ishte e drejtë të këmbëngulnim te kjo, ndërkohë që ka sinjale shumë domethënëse pendese dhe një ndjenjë sikleti, që mjaftojnë në këtë pikë. Shpresoj fort se kjo nuk do të përsëritet më  dhe që komuniteti shqiptar këtu do të nderohet vërtet për atë që është, sepse një gjë është vënia në qendër të vëmendjes e varkave, e kriminelëve dhe e gjithçkaje shqetësuese, por nga ana tjetër nuk duhet harruar kurrë se shqiptarët ia kanë dalë shkëlqyeshëm dhe kontribuojnë që Britania të jetë një vend më i mirë. Dje, dola nga hoteli bashkë me njerëzit që kujdesen për sigurinë time dhe dëgjoj një zë nga qiell: “Edi, Edi, Edi!”. Ngrita kokën lart, aty ishte një kantier ndërtimi dhe lart ishin tre persona të veshur si punonjës ndërtimi dhe që të tre ishin shqiptarë. Shqiptarët këtu punojnë për firmat e ndërtimit, shqiptarët këtu kujdesen për të moshuarit tuaj, shqiptarët këtu gatuajnë duke përmirësuar kuzhinën britanike, më duhet ta them dhe madje këndojnë për ju. Mos të flasim këtu për akademikët, për studentët. Ka qenë kaq e padrejtë ndaj tyre të viheshin nën një trysni të tillë, ndërkohë që ata janë një bazë kaq e fortë për të ndërtuar diçka shumë të rëndësishme”, tha Rama.