Kryeministri Edi Rama në një takim elektoral në Gjirokastër tha se opozita nuk duhet të ketë më asnjë shans për të qeverisur.
Kreu i qeverisë theksoi se qyteti i Gjirokastrës ka qenë lënë në harresë nga qeverisja e kaluar ndaj dhe sipas tij, qytetarët nuk duhet t’i votojnë më për të marrë drejtimin e bashkisë.
“Sot jemi këtu sepse ka një akses të ri, më në fund by passi i qytetit është realitet dhe së bashku me parkingun nëntokësor në sheshin e Çërçizit janë dy vepra të reja që do ta lehtësojnë tërësisht zonën historike nga makinat dhe do ta bëjnë shumë më të jetueshme dhe tërheqëse Gjirokastrën për këmbësorët, duke rritur më shumë vlerën e pronës dhe atraksionin turistik të saj.
Është dashur kohë për t’i bërë këto punë, por do të doja që për një moment të ktheni sytë mbrapa dhe të shihni nga sa larg e kemi nisur punën dhe sa rëndë ishte Gjirokastra kur morën detyrën dhe çfarë braktisje dhe përbuzje pati për këtë qytet në vitet e qeverisjes së atyre që nuk duhet të kenë më asnjë shans jo këtu por askund në Shqipëri.
Më vjen mirë të jemi në gjendje të flasim përmes punëve. Në bashkitë tona flasin punët“, u shpreh Rama.